Beteja kundër terrorizmit, kryeministri Rama në Turqi takohet me Erdogan
Sulmet terroriste në Francë kanë vënë në alert vendet që rrezikohen nga ekstremizmi, mes tyre edhe Shqipërinë, që miratoi një strategji kundër terrorizmit, por edhe Turqinë si vend kufitar me Sirinë.Në këtë kuadër, beteja kundër terrorizmit domonoi takimin që kryeministri Edi Rama pati gjatë vizitës në Turqi, me Presidentin turk, Recep Tayyip Erdogan.Zyra për shtyp e kryeministrit tha se Rama dhe Erdogan biseduan për situatën e sigurisë në rajon, si pjesë e sfidës së përbashkët kundër terrorizmit, kriza e refugjatëve sirianë si pasojë e përshkallëzimit të konfliktit në atë vend, si dhe nevoja për të zhvilluar më tej marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve.Presidenti Erdogan çmoi lart punën e Policisë së Shtetit shqiptar në luftën kundër krimit dhe trafikut të drogës dhe kurajon e qeverisë shqiptare për reformat e mëdha që e kanë futur Shqipërinë në rrugën e ndërtimit të një shteti serioz.Kryeministri Edi Rama e nisi vizitën ne Turqi me pjesëmarrjen në Samitin për Ekonominë dhe Energjinë ku tha se kriza dhe energjia vjen për shkak të injorancës. Shefi i qeverisë tha se në Shqipëri falimenti I sistemit u shmang përmes një reforme të thellë dhe ashpërsimit të kodit penal.“Një paketë e madhe ndryshimesh në ligjin e sektorit të energjisë, Kodin Civil, si edhe Kodin Penal u miratua së bashku me një paketë të plotë të një reforme radikale të liberalizimit të tregut në sektorin e energjisë. Përpjekjet e vazhdueshme të qeverisë kanë prodhuar një transformim spektakolar në vetëm dy vjet. Tani përqindja e mbledhjes është në gati 100%, ndërsa niveli i humbjeve në sektorin e shpërndarjes ka rënë në mënyrë dramatike. Për herë të parë në 25 vitet e fundit, Kompania Shqiptare e Shpërndarjes së Energjisë ka regjistruar në 2015 fitime operative, duke bërë të mundur që të fillojnë të investojnë në sistem”, tha Rama.Kryeministri tha se "gazsjellësi TAP do ta vendos Shqipërinë ne qendër të politikës gjeostrategjike te BE-se duke bërë që Shqipëria të ketë më shumë potencial për të luajtur një rol jetik në sektorin e energjisë në rajon".