Jahjaga: Dhuna e patolerueshme, Qeveria dhe policia të rivendosin rendin
Presidentja e Kosoves Atifete Jahjaga dënon dhunën në sheshet dhe rrugët e Prishtinës që po dëmton rendin dhe ligjin, sigurinë dhe jetën e qytetarëve, duke apeluar që qeveria dhe forcat e rendit të rivendosin normalitetin.Presidentja Jahjaga nëpërmjet statusit në faqen e saj në Facebook, shprehet se “Të gjithë jemi dëshmitarë të ngjarjeve të papranueshme, të dhunës në sheshet dhe rrugët e Prishtinës që po dëmton rendin dhe ligjin dhe po cenon rëndë sigurinë dhe jetën e qytetarëve”.Jahjaga, po ashtu, apelon për vendosjen e rendit dhe qetësisë, duke u shprehur se “dhuna kundër policisë dhe vandalizmi i pronës, private e publike, nuk mund të arsyetohet në asnjë rast. Qetësia dhe rendi duhet të rivendosen dhe kryeqytetit duhet t’i rikthehet normaliteti. Qytetarët e Kosovës nuk mund të bëhen peng i një situate jonormale që po mbretëron në vendin tonë. Dialogu dhe institucionet janë mënyra e vetme për të tejkaluar situatën e krijuar dhe duhet të veprojmë bashkërisht në parandalim të çfarëdo eskalimi të mëtutjeshëm të gjendjes”.