Ekspertët në Shkodër: Jemi përpjekur të reduktojmë korporatizimin e gjyqtarëve

Grupi i ekspertëve të nivelit të lartë, ka vijuar në Shkodër konsultimin publik të paketës së ndryshimeve kushtetuese në lidhje me reformën në drejtësi. Me pedagogët dhe studentët e Shkodrës, janë ndarë mendime dhe konsultime, rreth shmangies së ndikimit politik në sistemin e drejtësisë. Grupi i ekspertëve të nivelit të lartë ka shpjeguar ku konsistojnë ndryshimet duke kërkuar edhe mendime e konsultime nga grupet e interesit apo shoqëria civile.Grupi i ekspertëve të reformës në drejtësi zhvilluan një konsultim publik me Universitetin e Shkodrës, të projektit të ndryshimeve kushtetuese.Pedagogia e fakultetit të Drejtësisë, Aurela Anastasi, evidentoi principet themelore të kësaj reforme.Aurela Anastasi:Jemi përpjekur që të gjejmë një shkallë të mesme me qëllim që edhe gjyqësorin ta realizojmë pavarësimin e tij, por duke reduktuar rrezikun që vjen nga korporatizimi i gjyqtarëve, nga blloku që bëjnë ata duke mbrojtur fenomene dhe shfaqe të cilat janë të padëshirueshme.Ekspertja e EURALIUS, Korajlka Bumçi, u ndal tek kriteret e përzgjedhjes së Prokurorit të Përgjithshëm, ku ndër ndryshimet e prekshme është ai i mandatit që nga 5 propozohet të zgjatet në 9 vjet.Korajlka Bumçi:“Së pari kjo përzgjedhje duhet bërë ndërmjet juristëve më të kualifikuar dhe që kandidati të ketë të paktën 15 vjet eksperiencë profesionale, dhe të mos ketë mbajtur post politik 10 vite më parë. Propozimi i emrit duhet të vijë nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë, duke marrë më pas pëlqimin e 3/5 të parlamentit. Me rëndësi sipas nesh është kohëzgjatja e mandatit, nga 5 në 9 vite por këtë herë pa të drejtë rizgjedhje”.Grupi i Ekspertëve të Nivelit të Lartë ftuan pedagogët dhe studentët që të jenë aktivë me propozime dhe mendime edhe përmes faqes online të reformës në drejtësi.