Dalai Lama: Promovoni paqen, mos prisni ndihmë nga Zoti apo qeveritë
Promovoni paqen, mos prisni ndihmë nga Zoti apo nga qeveritë. Ka qënë kjo deklarata shokuese e Tenzin Gyatso, i cili është Dalai Lama i 14-të, që përbën titullin më të lartë për murgjit budistë. Duke iu referuar sulmeve që tronditën Parisin disa ditë më parë, ai tha urrejtja dhe terrorizmi nuk janë një krijim i perëndisë, ndaj edhe zgjidhja nuk duhet të pritet nga Zoti."Unë jam një budist dhe besoj tek lutja, por nuk besoj se një problem i tillë mund të rregullohet më anë të lutjeve. Problemet me të cilat po përballemi së fundmi nuk janë një krijesë e Zotit prandaj ndryshimi duhet të vijë nga njerëzit. Le të punojmë për një shoqëri më të mirë, duke mos pritur ndihmë nga Zoti, Buda apo nga qeveritë."Më tej lideri, shpirtëror i budistëve, e konsideroi shekullin e 20-të si mjaft të dhunshëm, duke nënvizuar se gjatë asaj periudhe kohore humbën jetën mbi 200 milionë persona si pasojë e luftërave dhe konflikteve. Ai përcolli mesazhe paqeje duke bërë thirrje që shekulli i 21 të karakterizohet nga toleranca dhe solidariteti.