Beqaj: Nga marsi autoambulancat nuk do stacionohen më në spital, ja skema

Duke filluar nga muaji mars, 90% e flotës së autoambulancave të shërbimit të urgjencës nuk do të stacionohen më në spital, por do të ndahen në pika të caktuara sipas zonave.Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, teksa prezantoi sistemin e ri të administrimit të shërbimit të autoambulancave tha se qëllimi është të shkurtohet koha e vajtjes deri tek nevoja.Beqaj: “90% e flotës tonë të jetë në shërbim të qytetarëve, një 10% do ta mbajmë rezervë për nevojat tona. Në turnin e tretë do të ketë një përdorim më të vogël por do na ndihmojë edhe kjo që kemi këtu. Bashkë me kriteret e tjera si popullësia, sipërfaqja për metër katrorë, dendësia e popullësisë, metrat linear të rrugëve të asfaltuara brenda 1 km katror gjeografi, distancat nga spitalet, numri i skuadrave disponibël në një rreth koncentrik me 25 km rreze do të na sjellë në atë që besoj nga muaji mars i vitit të ardhshëm një pjesë e mirë e autoambulancave të paktën në mëngjes deri në darkë nuk do të jenë të stacionuara më në spital.Do dalë në 07:00 të mëngjesit, do shkojë të rrijë në një pikë të caktuar dhe do të rrijë atje deri në 23:00. Kështu do të shkurtojmë kohën e vajtjes deri tek nevoja. Ndeshemi shpesh në stinën e verës apo fundjavat e pikut të turizmit me situata anomalie. Ky është rrjeti rrugor i vendit, ky është trafiku dhe edukata e atyre që i japin mjeteve. Nuk mund të presim ne që të gjitha të rregullohen dhe pastaj të reagojmë. Na duhet të reagojmë sepse nga analiza jonë rezultoi se flota jonë e autoambulancave ishte e mjaftueshme dhe për fat të mirë programi i emergjencës kombëtare është program më vete në buxhetin e shëndetësisë”.Beqaj tha se ky proçes duhet të shoqësrohet edhe me përmirësimin e pajisjeve mjekësore të autoambulancave, ndërsa njoftoi se në janar-shkurt do të nisë proçesi për shtimin e burimeve njerëzore.Beqaj: “Brenda shtatorit do të kemi funksional të plotë sistemin e komandos dhe kontrollit. Padyshim duhet ta shoqërojmë këtë gjë dhe më përmirësim të pajisjeve mjekësore që kanë autoambulancat.Personeli mjekësor, sidomos infermierë, që është në autoambulancë të jenë nga ata që punojnë edhe në shërbimin e urgjencës brenda spitalit dhe me rrotacion ti bëjnë të dyja. Se shkëputja nga aty i bën që pas pak vitesh të kenë më pak njohuri.Në janar dhe shkurt një proçes të marrjes në punë të burimeve njerëzore shtesë që na duhen. Duam të hapim thirrjen për të punësuar njerëz, tu bëjmë të gjithë kandidatëve një trajnim të shkurtër dhe pastaj të futemi në përzgjedhjen”.Beqaj foli për rreth 450 persona, personel mjekësor dhe ndihmës do të punësohen rishtaz në gjithë spitalet e vendit.Beqaj: “Nevojat shtesë fillimisht nuk është në qendrën kombëtare, nevoja për burime është më shumë në spitale dhe besojmë se rreth 450 vetë personel mjekësor dhe ndihmës do të punësohen rishtaz në gjithë spitalet e vendit për të shtuar volumin që shërbehet nga shërbimi i urgjencës dhe për të shtuar numrin e skuadrave që janë disponibël gjatë një jave apo një muaji për një autoambulancë”.I pyetur lidhur me shkurtimet e stafit në spitalet rajonale, Beqaj u shpreh: "Asnjë spital rajonal deri më sot nuk ka marrë ndonjë komunikim për strukturë të re, spital rajonal”.