Kushtetuesja pezullon përkohësisht marrëveshjen për Asociacionin
Gjykata Kushtetuese ka pezulluar përkohësisht marrëveshjen e Asocacionit të Komunave me shumicë serbe, një ndër pikat më të kundërshtuara nga opozita vendase, e cila nuk ka lejuar mbajtjen e asnjë seance që prej firmosjes së saj në Bruksel mes palës kosovare dhe serbe.Në një njoftim të orëve të vona të pasdites, publikuar në faqen zyrtare të gjykatës Kushtetuese, thuhet se pezullimi i marrëveshjes do të zgjasë deri në marrjen e vendimit përfundimtar nga ky institucion.Në njoftim argumentohet se pezullimi parashikon implementimin e çdo veprimi ligjor, deri në vlerësimin e përputhshmërisë së këtyre parimeve me Kushtetutën e Republikës së Kosovës nga ana e Gjykatës Kushtetuese.Institucioni nënvizon se kjo masë nuk ka asnjë prapaskenë që mund të influencojë vendimin përdundimtar që do merret nga gjykata.Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, dorëzoi zyrtarisht në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për të interpretuar marrëveshjen e arritur me Serbinë për bashkësinë e komunave me shumicë serbe, në përpjekje për të zgjidhur ngërçin politik në vend.Kjo ishte tentativa e radhës e Jahjagës, pas takimeve me krerët e maxhorancës dhe opozitës me qëllim gjetjen e një akordi.Por palët kanë mbajtur qëndrimet e tyre dhe vijojnë ti mbajnë, duke bllokuar punën e isnitucionit ligjvënës në vend dhe për pasojë edhe refomat dhe detyrimet që Kosova ka për integrimin e saj.Opozita akuzon se marrëveshja e bashkësisë së komunave serbe rrezikon krijimin e një shteti paralel, duke i kërkuar qeverisë shfuqizimin jo vetëm të saj, por edhe të demarkacionit me Malin e Zi.
Në seancën e mbajtur më 10 nëntor 2015, Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës mbajti këshillime dhe njëherazi miratoi Masë të përkohshme në rastin KO130/15, në kërkesën e paraqitur nga Presidentja e Republikës së Kosovës “Lidhur me vlerësimin e përputhshmërisë së ‘Asociacioni/Bashkësia i komunave me shumicë serbe në Kosovë - Parimet e përgjithshme/Elementet kryesore’ me frymën e Kushtetutës, nenin 3, paragrafin 1 [Barazia para Ligjit], Kapitullin II [Të Drejtat dhe Liritë Themelore] dhe Kapitullin III [Të Drejtat e Komuniteteve dhe Pjesëtarëve të tyre] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës”.Gjykata Kushtetuese ka nxjerrë dhe ka publikuar Vendimin për Masë të përkohshme, me të cilin suspendon implementimin e çfarëdo veprimeve të mëtejshme ligjore në bazë të këtyre “parimeve të përgjithshme/elementet kryesore” të Asociacionit/Bashkësisë së komunave me shumicë serbe në Kosovë deri në vlerësimin e përputhshmërisë së këtyre Parimeve me Kushtetutën nga ana e Gjykatës Kushtetuese.Ky Vendim për Masë të përkohshme është pa paragjykim ndaj ndonjë vendimi të mëtejshëm që do të nxirret nga Gjykata për pranueshmërinë apo për meritat e kërkesës.