Klandestinët, Merkel: Mbyllja e kufijve europiane do të sillte trazira në Ballkan

Mbyllja e kufijve europianë do të shkaktonte konflikt të armatosur në ballkan. Ky është paralajmërimi që vjen nga kancelarja gjermane, Angela Merkel, dëshmi e radhës e saj në mbrojte të politikave për klandestinët që kanë pushtuar vendet europiane.Gjatë një konference për shtyp në Darmstadt, në jug të Gjermanisë, Merkel ka shprehur frikën e rikthimit të konfliktit në Ballkan, i konsideruar historikisht një fuçi baruti në Europë.Sipas Merkel, mbyllja e kufijve nuk ndihmon aksënd, përkundrazi përkeqëson situatën.Merkel: “Do të ketë trazira. Sot kemi diskutuar me vendet e Ballkanit Perëndimor për të mbajtur një takim për këtë çështje, pasi nuk dua konflikte të reja ushtarake në atë zonë. Nuk po bëj një parashikim negativ, por thjesht dua të them se ndonjëherë gjërat ndodhin shumë më shpejt nga sa ne mendojmë: një zënkë kthehet shpejt në një akt dhune dhe një akt dhunë kthehet shpejt në diçka që askush nuk e dëshiron”, tha Merkel, duke shtuar se nëse Gjermania dhe Austria mbyllin kufirin, të njëjtën gjë do të bëjnë edhe Serbia, Kroacia e me radhë.Dhe një shembull i asaj që konfliktet ndodhin shpejt, sipas Merkel ishte Hungaria, e cila në kundërshtim me të gjitha politikat e Bashkimit Europian mbylli kufirin, duke detyruar klandestinët të gjejnë rrugë të tjera për të arritur në destinacionet e tyre.Merkel do të takohet sërish me krerët e partive kresore në vend Sigmar Gabriel dhe Horst Seehofer për të diskutuar temën e zonave tranzit të klandestive, pas dështimit të marrëveshjes në takimin e fundit.Kreu i Bavarisë kërkon që proçedurat e azilit të kryhen që në kufi, para se refugjatët të hyjnë në vend, një mënyrë kjo që sipas tij do të frenonte fluksin.Por ky propozim nuk ka marrë mbështetjen e Kancelares, e cila argumenton se kjo nuk do të zgjidhte problemin.