“Të drejtat e LGBT në Shqipëri”, Totozani: Tabu për institucionet dhe shoqërinë

Situata për komunitetin LGBT vazhdon të mbetet tabu si për institucionet shtetërore ashtu edhe për shoqërinë shqiptare.Shqetësimi u ngrit nga Avokati i Popullit në auditoriumin e mbajtur të hënën me temë: “Të drejtat e komunitetit LGBT në Shqipëri”, ku ishin të pranishëm përfaqësues të shoqërisë civile dhe autoriteteve shtetërore si dhe i dërguari i posaçëm i Departamentit Amerikan të Shtetit për të Drejtat e Njeriut të Personave LGBT,Randy Berry.Në konferencë u diskutua mbi të drejtat e personave LGBT, perceptimet mbi realitetin, çfarë mund të bëjnë institucionet, si dhe ku qëndron Shqipëria në krahasim me vendet e tjera të rajonit.Totozani përmendi shumë rekomandime drejtuar institucioneve shtetërore për këtë qëllim, si dhe punën për monitorimin e zbatimit të kuadrit ligjor.Ndërsa theksoi se personat e komunitetit LGBT duhet të gëzojnë të drejta të barabarta me të gjithë qytetarët e tjerë, dhe se nuk bëhet fjalë për t’u garantuar privilegje apo të drejta të veçanta.Avokati i Popullit konsideroi si mjaft të rëndësishëm edhe rolin e trupës gjyqësore, si dhe organeve të ruajtjes së rendit, në mënyrë që të mos përdoren standarde të dyfishta, por të respektohen ligjet në fuqi.“Të drejtat nuk fitohen lehtë, për to duhet guxim dhe shumë punë, ndaj duhet të denoncojmë cdo rast dhune i çfarëdo forme qoftë ajo”.“Miratimi i ligjit kundër diskriminimit, tha Totozani është një arritje e rëndësishme, por akoma edhe më i rëndësishëm mbetet zbatimi i tij. Për këtë është i domosdoshëm bashkëpunimi i ngushtë mes shoqërisë civile dhe institucioneve shtetërore”.Totozani vuri në dukje edhe indiferencën e deritanishme shtetërore duke thënë se prej dy vitesh mbeten ende të pashqyrtuara dy projektligje tepër të rëndësishme të përgatitura edhe me asistencë ndërkombëtare.Avokati i Popullit garantoi se institucioni që drejton do të jetë një mbështetës i fuqishëm i të drejtave të çdo individi, si dhe i nismave që iniciohen nga shoqëria civile.“Të drejtat e njeriut nuk janë konjukturë. Ato nuk mund të zbehen nga ndryshimet politike. Ndaj nuk duhet të bëjmë kompromis me të drejtat tona”, u shpreh Totozani.