Presidenti egjiptian: Pretendimet e ISIS për rrëzimin e avionit, propagandë
Presidenti i Egjiptit, Abdul Fatah al-Sisi, i ka konsideruar thjesht propagandë pretendimet e Shtetit Islamik se kanë qenë militantët e tij që kanë rrëzuar avionin rus me 224 persona në bord.Gjatë një interviste për rrjetin BBC, al-Sisi tha se është shumë herët për të folur për shkakun e aksidentit të rëndë.“Propaganda e Shtetit Islamik se ka qëlluar avionin rus është thjesht një mënyrë e tij për të dëmtuar stabilitetin dhe sigurinë e Egjiptit, më besoni, situata në Sinai është nën kontroll të plotë”, tha presidenti al- Sisi, duke ftuar të bëhën pjesë të hetimeve të gjithë të interesuarit për këtë çështje.Airbus 321 mendohet se është shkatërruar në fluturim e sipër, një hipotezë kjo e përforcuar edhe nga përfaqësuesit e kompanisë ajrore Kogalimavia, të cilët thanë se ndarja ne mes e avionit nuk mund të shkaktohet nga difekte teknike, por vetëm nga shkaqe të jashtme.Por kreu i Agjencisë Federale të Aviacionit Rus, Aleksandr Neradko, tha për mediat lokale se një deklaratë e tillë e kompanisë nuk bazohet në asnjë fakt dhe se është ende herët për të dalë në përfundime.Drejtori amerikan i inteligjencës kombëtare, James Clapper, tha se nuk kishte "prova të drejtpërdrejta për përfshirje terroriste, por shtoi se nuk përjashtohet si pistë.Sinai u përfshi nga trazirat dhe kryengritjet menjëherë pas rënies së Presidentit Hosni Mubarak në vitin 2011.Sulmet u shkallëzuan pasi ushtria përmbysi Presidentin islamist Mohammed Morsi në 2013.Avioni rus me 217 pasagjerë, prej të cilëve 25 fëmijë dhe shtatë anëtarë të ekuipazhit, u rrëzua 23 minuta pas ngritjes nga aeroporti i Sharm el-Sheikh. Destinacioni ishte Shën Petersburgu.