Prezantohet masterplani i Parkut të Liqenit, Veliaj: Shtohen 5.5 hektarë gjelbërim

Projekti  ri i Bashkisë i shton sipërfaqes së gjelbër në të vetmen mushkri të kryeqytetit në parkun e Liqenit Artificial edhe 5.5 ha. Masterplani u prezantua sot në një ceremoni në hapësirën e këtij parku, nga ku kryetari Erjon Veliaj dha detaje specifike për këtë ambicje të re në ndihmë të qytetarëve.Parku i Liqenit Artificial do të marrë një pamje të re me më shumë hapësira të gjelbërta për qytetarët.Gjatë prezantimit të masterplanit, kryetari i Bashkisë Erjon Veliaj theksoi se janë rreth 5.5 hektarë hapësirë e gjelbër nga Garda e Republikës e cila i shtohet parkut të liqenit me miratimin e masterplanit.“Sot iu janë shtuar 5.5 hektarë nga ish – Garda Republikës. Do të rrafshohen 13 ndërtesa. Nga 14 ndërtesa ngelet vetëm 1 ndërtesë. Masterplani i Liqenit është ndarë në 10 miniprojekte, një prej tyre është rehabilitimi i digës, një tjetër është pista e vrapimit, një tjetër është zona e plazhit. Fondi Shqiptar i Zhvillimit ka vendosur që projekti i parë të jetë parku i madh i lodrave të fëmijëve”, deklaroi Veliaj.Kryetari i Bashkisë së Tiranës sqaroi se në zonat që janë liruar në Parkun e Liqenit do të nisin investimet si dhe do të ketë një përkujdesje nga Agjencia e Parqeve dhe Rekreacionit.Zëvendëskryeministri, Niko Peleshi, theksoi se hartimi i masterplanit të parë dhe konkursi i hyrjes së Parkut vendosin për herë të parë zonën e gjelbër dhe zonën e ndërtuar.“Përmes dy planeve sipërfaqja e gjelbër e Liqenit shtohet me rreth 50 hektarë. Është një përgjigje ndaj shqetësimit qytetar. Sipërfaqja e Gardës i rikthehet qytetarëve. Shërbimet publike kryesore do të integrohen më pranë dhe për të qenë më transparente. Bashkia e Tiranës është sot këtu për të treguar vullnetin e saj”, tha Peleshi.Në foton e projektit më poshtë, vija ndarëse paraqet pjesën ku sot gjenden 14 ndërtesat e Gardës së Republikës, e cila shndërrohet plotësisht në pjesë të Parkut të Liqenit.TIRANA PARK ENTRANCE_2PANELS-1 /Oranews.tv/