Peticion për lirimin e Ballistit, “Tifozët Kuq e Zi” nisin mbledhjen e firmave online

Nis mbledhja e firmave online për lirimin e Ismail Morinës i njohur si “Ballisti”. Nisma është marrë nga grupimi “Tifozët Kuq e Zi” .Në letrën e tyre ata u luten Presidentit të Republikës Bujar Nishani, kryeministrit Edi Rama, Prokurorit të Përgjithshëm Adriatik Llalla dhe Ministrit të Drejtësisë Nasip Naço për dhënien e lirisë për “bashkëkombasin, spikatur për veprimin simbolik, të guximshëm e të paharrueshëm, të ngritjes në qiellin e Beogradit të dy Heronjve të mëdhenj të historisë sonë, 14 Tetorin e vitit të shkuar”.“Ne, nënshkruesit e kësaj KËRKESE, të përbashkuar në gjuhë, ndjenjë kombëtare e flamur, të vëmendshëm në çdo ngjarje e zhvillim politik dhe kulturor të kombit tonë, të vetëdijshëm për rëndësinë e aktit që po e kryejmë, lutemi - në vlerësimin human e patriotik nga ana e Juaj të rastit Ismail MORINA, shok, mik e njeri i dashur i yni, së fundmi arrestuar në Tiranë e mbajtur në parapaburgim nga Gjykata e Kryeqytetit. - në dhenjen e lirisë këtij bashkëkombasi, spikatur për veprimin simbolik, të guximshëm e të paharrueshëm, të ngritjes në qiellin e Beogradit të dy Heronjve të mëdhenj të historisë sonë, 14 Tetorin e vitit të shkuar” – shkruhet në peticion.