Të parehabilituara dëmet e një viti më parë, projekti i BE mbyllet në nëntor
Qeveria nuk ka rehabilituar ende dëmtimet në hidrovore dhe argjinatura të shkaktuara nga përmbytjet e vitit të kaluar. Burime zyrtare në Ministrinë e Bujqësisë bëjnë të ditur se punimet kanë nisur muajin e kaluar me fondet e BE-së dhe do të përfundojnë në nëntor. Ndërkaq edhe qeveria i shkurtoi me 520 milionë lekë këtë vit fondet për infrastrukturën e Ujitjes dhe Kullimit.Ndërsa përmbytjet në disa zona të vendit janë rikthyer, Qeveria nuk ka rehabilituar ende dëmet e shkaktuara nga përmbytjet e një viti më parë.Burime zyrtare në Ministrinë e Bujqësisë konfirmojnë se vetëm muajin e kaluar ka nisur projekti i financuar nga Bashkimi Europian me vlerë 6 miionë euro për rehabilitimin e hidrovoreve dhe argjinaturave mbrojtëse në brigjet e lumenjve Vjosë, Drin dhe Osum.Punimet pritet të përfundojnë në 10 ditëshin e parë të nëntorit. Burimet e mësipërme shpjegojnë se shkak për vonesat në punime janë bërë proçedurat që duhen ndjekur për hartimin, miratimin dhe lëvrimin e fondeve nga Bashkimi Europian.“Rehabilitimi i infrastrukturës së dëmtuar ishte edhe një ndër pikat kryesore të planit të punës që hartuar një vit më parë, pas përmbytjeve, me qëllim marrjen e masave për paraprirjen e situatave të tilla. Një tjetër pikë e këtij plani ka qenë furnizimi i hidrovoreve më burim rezervë energjisë, si gjenetorë ose linjë e dytë energjie. Por edhe për këtë çështje, nuk është konkretizuar asgjë dhe burimet e mësipërme e përcjellin çështjen te Operatori i Shpërndarjes së Energjisë”.Pak vëmendje për të investuar në infrastrukturën e këtyre zonave ka treguar edhe qeveria.Gjatë rishikimit të buxhetit 2015 në shtator të këtij viti, nga më shumë se 2 miliardë lekë që ishte fondi fillestar në buxhet për infrastrukturën e Ujitjes dhe Kullimit me buxhetin e rishikuar ato ranë në 1.5 miliardë lekë ose 25% më pak.Kjo me argumentin se në rishikimin e buxhetit u shkurtuan fondet e institucioneve që nuk kanë mundur ti shpenzojnë ato sipas planifikimeve.