700 mijë automjete të kompanisë "Seat" janë manipuluar
Një tjetër kompani makinash që operon brenda Volksvagen grup, ka pranuar fajësinë në lidhje me skandalin që shpërtheu disa javë më parë. Fjala është për Seat, e cila pranoi se 700.000 mijë makina të sajat përmbajnë programin kompjuterik që u shmaget testeve të emetimit. Zëdhënësi i kompanisë ka bërë me dije se ka nisur puna për të llogaritur se sa prej automjeteve janë shitur në tregjet ndërkombëtare. Skandali e ka goditur rëndë grupin Volksvagen. Kjo kompani ka humbur 35% të vlerës së saj në treg që prej të Hënës së shkuar. Një vëzhgim i bankës Evercore, tregoi se 66% e aksionerëve të Volksvagen nuk do të pranojnë që të investojnë asnjë cent më shumë, në rast se kostot, gjobat dhe detyrimet nuk do të bëhen të ditura.Efektet e këtij dëmi do të bien edhe mbi ekonominë lokale të Volsburgut. Një pjesë e madhe e buxhetit të qyteti pritet të ngrijë, duke qënë se me Volksvagen lidhet një rrjet i gjërë puntorësh dhe kompanish më të vogla. Priten ende vendimet që do të merren për skandalin nga gjykatat ndërkombëtare. Situata më problematike shfaqet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, vend të cilit Volksvagen i detyrohet plot 18 miliardë dollar sipas përllogaritjeve. /Oranews.tv/