Bushati në Ministerialin e BE-së: Përgjigje kolektive krizës së emigrantëve

 Minsitri i Jashtëm, Ditmir Bushati, ka kërkuar nga Bashkimi Europian dhe vëndet e rajonit,  përgjigje kolektive për përballimin e krizës së refugjatëve. I ftuar në  takimin informal të Ministrave të Punëve të Jashtme të BE-së në Luksemburg, kryediplomati shqiptar tha se kjo krizë është sprovë për të gjithë dhe kërkon instrumente solidarizues. Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati,  mori pjesë në takimin informal të Ministrave të Punëve të Jashtme të BE-së në Luksemburg, ku është diskutuar për  çështjet me karakter humanitar, nxitur nga kriza e refugjatëve, terrorizmi dhe luftëtarët e huaj si dhe situata e sigurisë brenda Bashkimit Europian.Duke folur mbi shqetësimin e refugjatëve, Ministri Bushati  kërkoi  përgjigje  kolektive  për përballimin e këtij problemi.Bushati: "Vala e refugjatëve që vijnë nga Lindja e Mesme dhe jugu i Mesdheut përben një fenomen tepër të ndjeshëm për ne, sepse sjell në mendje kujtimet e viteve '90 kur filluan largimet masive në Ballkan pas rënies së regjimeve totalitare e me pas shpërnguljet nga luftrat në ish Jugosllavi. Vala e refugjateve si një krizë e pa precedentë që ka goditur Evropën përbëhet nga një sërë elementesh që vendosin në sprovë aftësitë e të gjithëve dhe që kërkon një përgjigje kolektive, instrumente solidarizues për të akomoduar refugjatët, luftuar rrjetet e trafikantëve dhe elementeve terroristë që mund të kërkojnë të përfitojnë nga kjo situatë".Gjithashtu Bushati  tha se në takimin e Ministrave të Jashtëm të Bashkimit Europian, është diskutuar dhe përfshirja e te gjitha vendeve të Ballkanit si vende të origjinës së sigurtë.Përveç  Ministrave të vendeve anëtare të Bashkimit Europian, në takim morën pjesë edhe Ministrat e Jashtëm të vendeve kandidate për anëtarësim ata të Turqisë, Serbisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë.