Basha: Rama mbrojti kasaphanën e Prengës, sovrani do ti tregojë derën krimit

Shefi i opozitës, Lulzim Basha, ka dënuar qëndrimin e kryeministrit Edi Rama lidhur me deputetin socialist të arrestuar nga policia, Armando Prenga.Përmes një postimi në fb, Basha thotë se ishte Kryeministri që e kandidoi Prengën si deputet, duke e njohur të shkuarën e tij kriminale.Basha: “10 orë e mbajti mbi ligjin deputetin e tij, Edi Rama, pasi kishte lënë disa të plagosur me armë, në derë të Komisariatit. E mbrojti, i dha imunitet, urdhëroi terr informativ për krimin e shumëfishtë . Nuk ishte një sjellje e turpshme siç thotë tani kryepërgjegjësi. Ishte një kasaphanë, një shkrehje e përgjakshme armësh e të përzgjedhurit të tij mu brenda në komisariat. Kur presioni u rrit, kur opozita dhe qytetarët denoncuan, kur partnerët ndërkombëtarë u interesuan, vetëm kur e pa se nuk kish nga tia mbante, vetëm atëherë nisi zbatimi i ligjit. Ndaj është i papranueshëm dhe i pabesuëshëm qëndrimi i tij. Sepse e përzgjodhi Armando (Edmond) Prengën, e mori me të shkuar të njohur kriminale, me precedentë të tmerrshëm, e bëri deputet, e vërsuli kundër kundërshtarit politik në Kuvend, e dekoroi publikisht duke i dhënë mbi ligjin dhe kundër ligjit edhe Lagunën e Patokut, por del e tallet duke përmendur ligjin. Ligji u ndalua, dhe ligji ndalohet të funksionojë kur nuk i volit Edi Ramës”.Sipas Bashës, mbi ligjin dhe kundër ligjit mbi vend sundon krimi dhe kriminelët të bërë njësh me pushtetin. Shefi i opozitës thotë se do të jetë sovrani, ai që do ti tregojë derën krimit dhe sundimit të krimit.Basha: “Mbi ligjin e kundër ligjit sundon sot krimi dhe kriminelët e bërë njësh me pushtetin. Mbi ligjin e kundër ligjit e mbrojti Edi Rama Arben Ndokën e Pjerin Ndreun. Mbi ligjin e kundër ligjit e la narkotrafikantin Pllana të strehohej në veturën e deputetit të tij Mark Frroku. Mbi ligjin e kundër ligjit e la të arratisej Arben Frrokun pasi e përdori për fushatë. Mbi ligjin, kundër ligjit dhe jashtë ligjit është sot Sajmir Tahiri i denoncuar publikisht si kumbari i bandave të drogës. Mbi ligjin është edhe ortaku i tij Meta, të cilin vetë avokatët e huaj të qeverisë së tij e kanë shënuar si përfitues rryshfetesh miliona euro në aferën e CEZ-it.Por ka një ligj që ai nuk e ndal dot. Sovranin që do ti tregojë derën krimit dhe sundimit të krimit”.