Greqia mbetet pa qeveri, Meimarakis kthen mandatin

 Dështojnë sërish përpjekjet në Greqi për të krijuar qeverinë e re, pasi edhe lideri i opozitës greke, kreu i partisë konservatore Vangelis Meimarakis, u tërhoq pasi nuk e formon dot qeverinë e re ndërsa  nuk i shmangu kritikat për kryeministrin në ikje Aleksis Tsipras për zvarritjen që i bëri vendit, që do të përballet sërish me zgjedhje, pas vetëm 7 muajsh në pushtet.Pas përpjekjeve 3 ditore për të gjetur një partner për koalicionin e ri qeveritar, Meimarakis i dorëzoi mandatin presidentit të vendit. Por kujt i kalon tashmë e drejta për të formuar qeverinë e shtetit helen? Presidenti Prokopis Pavlopoulos pritet ti ofrojë mandatin bllokut të tretë më të madh në parlament, partisë "Bashkimi Popullor", një parti e re e ekstremit të majtë, e sapo-krijuar nga Panagiotis Lafazanis, i rebeluari i parë nga Syriza.Zëdhënësja e qeverisë në ikje, Olga Gerovasili tha se zgjedhjet e reja në Greqinë e trazuar, do të mbahen më 20 shtator.Mbetet vetëm për tu parë nëse panajotis lafazanis, ish ministër dhe lider i partisë "Bashkimi Popullor" do të arrijë të formojë qeverinë e re. Nëse ai dështon, mund të krijohet përkohësisht një qeveri uniteti kombëtar por edhe nëse ky skenar nuk realizohet, parlamenti do të shpërndahet dhe një administratë e përkohshme do të betohet deri pas zgjedhjeve të shtatorit.