Gjermania përballet me protesta kundër azilkërkuesve
Qyteti i Hajdenaut në lindje të Gjermanisë është përballur gjatë natës me përleshje të dhunshme, që shpërthyen pas një proteste për çështjen e azilkërkuesve.Policia ka ndërhyrë për të qetësuar situatën e krijuar nga rreth 600 protestues të ekstremit të krahut të djathtë, të cilët u mblodhën rreth një magazine, ku strehoen azilantët. Ata u shprehën kundër numrit të lartë të refugjatëve, që po hyjnë çdo ditë në Gjermani dhe kërkuan largimin e menjëhershëm të tyre. Protestuesit qëlluan policinë me fishekzjarre, shishe dhe gurë duke plagosur rreth 31 oficerë.Protesta u bë e dhunshme, kur ekstremistët kërkuan të kthenin mbrapsht autobusët me klandestinë, që po i afroheshin qendrës së pritjes.Përballë sulmeve të protestuesve policia u detyrua të përdorë vetëm piper të lëngshëm për ti zbrapsur.Zëdhënësi i policisë së Hajdenaut tha se kjo ishte protesta më e madhe e organizuar në këtë qytet kundër azilantëve.Një prej dëshmitarëve, një emigrante që jeton prej vitesh në qytetin lindor që ndodhet pranë Dresdenit, tha se protetsuesit ishin të frikshëm dhe policia e pati thuajse të pamundur për ti ndaluar.Ndërkohë pranë kampit të azilantëve gjatë ditës u mblodhën banorët e qytetit, që dolën në krah të azilantëve, thanë se protestuesit ekstremistë nuk ishin pjesë e komunitetit të tyre.Gjermania pret një numër rekord prej 800 mijë klandestinësh deri në fund të vitit, ndërsa po përballet me mungesën e ambjenteve për akomodimin e tyre. Më shumë se një e treta e azilëkerkuesve vijnë nga Ballkani, kryesisht Shqipëria dhe Serbia.
/Oranews.tv/