Itali, rojet bregdetare shpëtojnë 3 mijë klandestinë nga Libia
Rreth 3 mijë klandestinë janë shpëtuar gjatë natës nga rojet bregdetare Italiane, ndërsa kishin lënë pas brigjet e Libisë.Ky është operacioni më i madh i shpëtimit në det, që prej nisjes së krizës së emigrantëve. Sipas autoriteteve italiane klandestinët po udhëtonin me rreth 23 mjete lundrimi dhe 2 prej tyre dhanë alarmin SOS.Në operacionin e shpëtimit u përfshinë disa anije italiane si edhe anija norvegjeze ushtarake Siem Pilot, e cila është pjesë e misionit të patrullimit në mesdhe.Klandestinët u shoqëruan më pas në qendrat italiane të pritjes në Siçili. Përballë situatës së vështirë të krijuar nga fluksi i klandestinëve, kryeministri italian Mateo Renzi po përballet me një lumë kritikash nga opozita vendase. Partia e Silvio Berluskonit, Forca Italia, tha se qeveria e Romës po ndihmon në trafikun e qënieve njerëzore duke u shërbyer trafikantëve, ndërsa vendi pak nga pak po pushtohet nga klandestinët.Ndërkohë në Palermo policia italiane ka arrestuar 6 egjiptianë nën dyshimin se janë trafikantë dhe kishin rrezikuar jetën e rreth 432 personave duke i transportuar përmes detit në një anije të tejmbushur.Nga rreth 264,500 emigrantë që kanë kaluar mesdheun deri tani, 104 mijë janë strehuar në Itali dhe 160 000 në Greqi./Oranews.tv/