Ndërkombëtarët kritikojnë zgjedhjet në Ukrainë
Kritika të ashpra dhe negative në drejtim të zgjedhjeve të mbajtura një ditë më parë në Ukrainë. Vëzhguesit ndërkombëtarë të zgjedhjeve në Ukrainë, duke folur sot gjatë një konference për shtyp në Kiev thanë se votimet e kanë përmbysur progresin demokratik të Ukrainës.Walburga Habsburg Douglas, kryesuesja e misionit vëzhgues afatshkurtë të OSBE-së fajësoi politikanët në pushtet për përdorim të burimeve dhe mjeteve administrative për të ndikuar në rezultatet e votimeve.Ajo gjithashtu shtoi se fushata është shënuar me mbulim të një anshëm të mediave dhe është karakterizuar me mungesë të transparencës financiare.Me më shumë se 60 % të votave të numëruara, partia në pushtet e presidentit Viktor Yanukovych është duke kryesuar me 34 % të votave.Partia Atdheu e lideres së burgosur të opozitës, Julia Tymoshenko është radhitur e dyta, me mbi 22 % të votave. Ndërsa Partia Komuniste ka arritur të pozicionohet në vendin e tretë, me rreth 15 % të votave të qytetarëve të Ukrainës.