Furia turke kundër terrorizmit, Erdogan: Ky është vetëm fillimi!
Policia turke ka kryer disa operacione kundër militantëve të Shtetit Islamik, organizatave kurde dhe atyre të majta në 13 krahina në të gjithë vendin, duke arrestuar në total 251 vetë, si kundërpërgjigje e sulmeve terroriste të ndodhura në ditët e kaluara.Vetëm në Stamboll, u bastisën mbi 100 baza të dyshuara si të militantëve të ISIS dhe atyre kurdë, ku u aktivizuan mbi 5000 forca policie, ndërsa pas një telefonate mes presidentit Rexhep Erdogan dhe atij amerikan, Barak Obama, avionët luftarakë turq sulmuan disa pozicione të ekstremistëve brenda territorit sirian.Erdogan paralajmëroi grupimet terroriste që ky është vetëm fillimi dhe se bëjnë mirë të dorëzojnë armët."Këto janë veprime kundër sigurisë sonë kombëtare. Shteti dhe qeveria do të kundërpërgjigjet për të siguruar paqen e kombit. Do të vazhdojmë të veprojmë kundër kërcënimeve".Sulmi vetvrasës i të hënës nga një militante e ISIS që shkaktoi 32 viktima, ekzekutimet e tre oficerëve policie nga ekstremistë kurdë dhe një ushtari turk në kufirin me Sirinë nga grupimi terrorist, kanë bindur më në fund Erdoganin që të pranojë kërkesën e Shteteve të Bashkuara për ofrimin e bazave turke në jug të vendit si pikënisje e sulmeve ajrore amerikane në Siri.Megjithatë, asnjëra nga palët nuk e ka konfirmuar zyrtarisht këtë vendim.Deri më tani, Presidenti turk ka shprehur pakënaqësitë e tij me strategjitë e koalicionit të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara, pasi gjithmonë ka këmbëngulur se përveç ISIS, duhet rrëzuar nga pushteti Presidenti sirian, Bashar Al-Asad, si dhe nuk duhen furnizuar me armatime dhe pajisje ushtarake kurdët, të cilët i konsideron rrezik kombëtar për vendin e tij, për shkak të pakicës kurde prej 14 milion personash, që jeton brenda shtetit turk.