BE padit Hollivudin: Ka thyer rregullat e tregtisë së lirë!
Bashkimi Europian ka ngritur padi ndaj gjashtë kompanive të mëdha kinematografike në Hollivud, si dhe platformës televizive britanike, Sky TV, pasi i akuzon se kanë thyer rregullat e unionit për konkurencën e lirë, duke kufizuar në mënyrë të paligjshme aksesin në disa programe të caktuara për publikun e gjerë.Gjashtë kompanitë hollivudiane të paditura janë Disney, NBC Universal, Paramount Pictures, Sony, Twentieth Century Fox dhe Warner Bros. Sipas Bashkimit Europian, këto studio dhe Sky, përmes një marrëveshje mes tyre, kanë ndarë tregun në Mbretërinë e Bashkuar dhe Irlandë nga pjesa tjetër e shteteve të Bashkimit Europian, duke kufizuar aksesin në filma dhe programe për përdoruesit e platformës Sky në kontinent, si dhe kompanive të tjera alternative që vepronin në Britani dhe Irlandë.Nëse shpallen fajtore, gjashtë studiot prestigjoze dhe Sky mund të gjobiten me një vlerë të përafërt me 10% të të ardhurave të tyre vjetore.Së fundmi, Bashkimi Europian ka ngritur disa padi ndaj kompanive amerikane, si Apple, Facebook, Amazon dhe të tjera, pikërisht në kohën kur mes tij dhe Shteteve të Bashkuara janë zotuar të nënshkruajnë sa më shpejt një marrëveshje për tregtinë e lirë mes palëve.