Parlamenti grek voton sot marrëveshjen dhe masat shtrënguese, përçahet Syriza
Marrëveshja e Greqisë me kreditorët do të vihet sot në provë, pasi deputetët në parlamentin helen duhet të votojnë masat e para shtrënguese në mënyrë që të nisin negociatat për programin e ri të shpëtimit të vendit të zhytur në borxhe.Projektligji ka nisur të debatohet në një mbledhje urgjente të Komisionit të Financave, Punëve Sociale, Tregtisë dhe Shërbimit Civil dhe pritet që deri në orën 14:00 të ketë kaluar për diskutim në seancë plenare, pasi grekët janë zotuar ta votojnë brenda datës së sotme.Kryeministri Tsipras duket se ka humbur mbështetjen e rreth 30 deputetëve, mes tyre edhe kryetares së parlamentit, Zoi Konstantopulu, e cila sipas mediave greke nuk ka ndërmend të drejtojë seancën e sotme.Një ditë më parë, krahu radikal i Syriza-s, u mblodh veçmas pjesës tjetër të grupit parlamentar të partisë, por sipas deputetit Eftsatios Leutsakos, ata nuk kanë vendosur ende se çfarë do të bëjnë.Përveç ratifikimit të marrëveshjes së të hënës, deputetët duhet të miratojnë sot ligjet që unifikojnë në 23% nivelin e TVSH-së, përveç ushqimeve të freskëta, energjisë elektrike dhe ujit të pijshëm, që do të tatohen sërish me 13%, si dhe ilaçeve dhe librave që do të ruajnë nivelin 6% të TVSH-së.Gjithashtu sot do të votohet për shfuqizimin e zbritjes prej 30% nga TVSH-ja për ishujt, si dhe për rritjen e taksës koorporative në 29%.Taksa për makinat luksoze do të rritet nga 10 në 13%, taksa e fermerëve nga 13 në 16%, ndërsa do të votohet edhe për shfuqizimin e pensioneve të parakohshme dhe rritjes së moshës së daljes në pension në 67 vjeç.Por pavarësisht rapotimeve nga Agjencia Kombëtare Turistike se janë rritur prenotimet për pushime në ishujt e famshëm grekë, autoritetet e sigurisë po përgatiten për trazira civile në ditët në vazhdim, sidomos nga grupimet anarkiste dhe të ekstremit të djathtë.