Rihapen 1 mijë degë bankash, vetëm për pensionistët!

Ministria greke e Financave ka vendosur të rihapë 1000 degë bankash në të gjithë vendin të cilat do t'u shërbejnë vetëm pensionistëve, të cilit u alarmuan një ditë më parë pasi i gjetën bosh bankomantet dhe nuk arritën të tërhiqnin pensionet e tyre, pasi vendosjes së kufirit të marrjes së vetëm 60 eurove në ditë.Vendimi gjithsesi nuk pritet të ketë ndonjë ndikim në fatin e vulosur tashmë të vendit për të mos paguar detyrimet ndaj Fondit Monetar Ndërkombëtar sot, në të njejtën ditë kur edhe skadon programi i shpëtimit dhënë nga kreditorët ndërkombëtar.Gjatë paradites, Banka Qendrore Europiane pranoi përfundimisht se Greqia mund të jetë e detyruar të largohet nga monedha e përbashkët, edhe pse pjestari i bordit, Benua Koer, e bëri të qartë që kjo nuk ishte dëshira e institucionit. Ndërsa kryeministri spanjoll, Mariano Rahoj, ka ngritur alarmin se një gjë e tillë do të vërtetonte se unioni monetar është i kthyeshëm dhe se largimi i Greqisë mund të sjellë edhe largime të tjera. Sipas tij, ky është problemi më i madh që mund të ketë Bashkimi Europian.Në Athinë, qeveria ka publikuar një deklaratë ku mohon kategorikisht çdo plan për të rikthyer dhraminë, pavarësisht se kryeministri Aleksis Tsipras nuk e ka pranuar as ofertën e minutës së fundit bërë nga presidenti i Komisionit Europian, Zhan-Klod Junker, për të mbështetur miratimin e propozimeve të kreditorëve në këmbim të shtyerjes së afatit të skadimit të programit të shpëtimit nga ana e eurogrupit, që pritet të mblidhet gjatë ditës.