Mbetjet spitalore, ekspertët: Problem i mbartur, të ndiqet deri në hallkën e fundit
Trajtimi i mbetjeve spitalore në Shkodër ka mbledhur ekspertë, mjekë e infermierë për të gjetur një zgjidhje për problemin e mbartur. Ekspertët e kanë cilësuar proces të prapambetur i cili duhet ndjekur nga institucioni deri në hallkën e fundit ku bëhet përpunimi i tyre.Trajtimi i mbetjeve spitalore në Shkoder nuk bëhet siç duhet nga qendrat shëndetësore dhe subjektet private. Ky është shqetësimi i ngritur gjatë takimit për "një ambient të pastër dhe mjekësi me standarte" organizuar me institucionet shëndetësore ku të pranishëm ishin mjek dhe infermierë të sistemit parësor dhe dytësor.Kryeinspektori i inspektoriatit shëndetësor Zamir Llazani pranoi se mbetjet spitalore janë një problem i mbartur dhe se ky proces është i prapambetur.Të gjitha institucionet shëndetësore publike dhe private që prodhojnë mbetje, janë të detyruara të lidhin kontrata me firmat e licencuara për trajtimin e tyre duke patur përgjegjësi deri në përpunimin në të parrezikshme.Shpeshherë mbetjet spitalore kanë tërhequr vëmendjen, pasi hidhen në vende publike pa u trajtuar duke rrezikuar jetën e qytetarëve.