Obama & Merkel: Zgjidhja e krizës greke me rëndësi për stabilitetin e Eurozonës
Situata më e fundit në Greqi ka ngjallur reagime të menjëhershme ndërkombëtare.Presidenti amerikan Barack Obama i ka telefonuar kancelares gjermane Angela Merkel.Sipas Shtëpisë së Bardhë, të dy liderët mendojnë se "është me shumë rëndësi që Greqia të kthehet në rrugën e reformave dhe të ruhet stabiliteti në Eurozonë".Kancelarja Merkel nuk është shprehur publikisht pas telefonatës, por kriza në Greqi ka vënë në gjendje alarmi edhe politikanët në Berlin.Kancelarja Merkel ka caktuar për ditën e sotme një takim të jashtëzakonshëm të kabinetit qeveritar, për situatën më të fundit në Greqi dhe pasojave të mundshme. E Majta dhe ekologjistët kanë kërkuar prej kancelares që të ndërhyjë në këtë situatë.Ndërsa zëvendëskancelari dhe Ministri i Ekonomisë, Sigmar Gabriel ka premtuar ndihma humanitare për grekët, në qoftë se Greqia vërtetë shpall falimentimin.Gabriel theksoi se partnerët evropianë i kanë bërë oferta Greqisë, "të cilat nuk janë bërë kurrë më parë", ndaj do të ishte "marrëzi", në qoftë se Tsipras nuk i pranon ato. Edhe minstri i Jashtëm gjerman, Frank-Walter Steinmeier, i ka quajtur plotësisht të pakuptueshme vendimet e fundit të qeverisë greke.