Kriza greke, si do të përfundojë odisea?!
Fotoja ku kryeministri grek, kryeministri Italian dhe kancelarja Merkel qeshin bëri xhiron në internet dhe rrjetet sociale pak ditë më pare.Kryeministri grek, Aleksis Tsipras të jep përshtypjen se, siç tha presidenti i Këshillit të Europës, Donald Tusk, ndryshe nga tragjeditë e lashtësisë, kjo histori moderne greke do të kishte një fund të lumtur.Por pikërisht kur mendohej se partnerët europianë do të ndërhynin për të shpëtuar falimentin e një shteti anëtar dhe daljen e tij nga eurozona dhe unioni, dështimet e fundit në bisedimet e ministrave të financave dhe thirrja e kryeministrit Aleksis Tsipras për një referendum popullor duket se i dha shkelmin e fundit vendit drejt humnerës.Edhe pse ministri francez i Financave, Mishel Sapë, përjashtoi kategorikisht mundësinë e daljes së vendit nga euro, për homologun gjerman, Volfgang Shojble, dhe shefin e eurogrupit, Jerun Dajselblum, të gjitha skenarët janë të hapur, pasi ishte Greqia që u largua nga mbledhja duke i thënë "jo" propozimeve.Edhe pse është e dëshpëruar për të siguruar një marrëveshje e cila do të siguronte fondet e mjaftueshme për të mbijetuar, krenaria e kabinetit Tsipras për të mos shkelur mbi premtimet e bëra janarin e kaluar për të fituar pushtetin, duket se po e çon vendin në drejtimin e gabuar.Megjithatë, me vendimin e Bankës Qendrore Europiane për të ndërprerë fondet e emergjencës për sistemin bankar grek, faturat e kësaj vere do të duken po aq të larta sa edhe temperaturat e stinës30 qershor: Skadon programi i shpëtimit ndërsa FMN kërkon 1,6 miliardë €10 korrik: Duhen paguar 2 miliardë € si shlyerje e kredive afatshkurtra20 korrik: Duhen paguar 3,5 miliardë € ndaj partnerëve të eurozonës20 gusht: Duhen paguar 3,2 miliardë € blerësve të bonove të thesaritNga frika e përshkallëzimit të situatës, grekët janë dyndur në degët e bankave për të tërhequr kursimet dhe depozitat, ndërsa ekonomistët vlerësojnë se deri tani rreth 45 miliardë euro janë zhdukur nga sistemi bankar për të përfunduar poshtë dyshekëve.Pa Bankën Qendrore Europiane, skenari qipriot i bllokimit të kapitaleve bankare duket si e vetmja rrugë, gjithsesi e kushtueshme, për një vend që, kur Tsipras mori pushtetin nën sloganin e shporrjes së trojkës, sapo kishte dalë nga gjashtë vite reçesion ekonomik.Kryeministri i ri dhe karizamtik, që bëri për vete popullin helen, ka luftuar fort për të mos ulur edhe më tepër pensionet, një pikë kyçe në bisedimet mes palëve, pasi 2,9 milionë pensionistët grekë kanë parë se si pagesa mujore që merrnin të pakësohem me 45% që nga viti 2010.Megjithatë, FMN kërkon një tjetër shkurtim që do të siguronte 1,8 miliardë euro shtesë për arkat e shtetit grek, kombinuar me nisma për të shmangur daljet e parakohëshme në pension, çka nuk u pranua nga Tsipras, i cili gjithsesi lëshoi pet e rritja e TVSH-së në 23%, duke anulluar edhe zbritjen prej 30% për ishujt e Egjeut.Kur mori pushtetin në janar, Tsipras, i mbështetur nga profesori i ekonomisë, Janis Varufakis, u zotuan që në vend të masave shtrënguese që po i merrnin frymën popullit helen, do të gjurmonin dhe kapnin evazorët fiskalë si dhe do të pakësonin sa më shumë të mundeshin ndikimin e oligarkëve që dominonin aktivitetin ekonomik të vendit.Rinia e papunë greke nuk ngurroi për asnjë çast të votonte liderin 40-vjeçar, ndërsa elektorati i majtë më i madh në moshë u bind nga aleatët e Tsiprasit në koalicionin e radikalëve të majtë.Rryma ekstremiste në parti duket se ka fituar ndaj të moderuarve, pasi ata votuan masivisht për miratimin e referendumit dhe do të bëjnë çmos që populli të bindet t'i thotë lamtumirë euros për të ripërqafuar dhraminë.Në rrugët e Athinës, larg salloneve të politikës, njerëzit janë të dëshpëruar për një zgjidhje…"Situata është dramatike, të gjithë jemi të vetëdijshëm për këtë. A keni parë ndonjë grek të qeshë? Vetëm ata të rëndësishmit që ushqehen mirë dhe kanë një jetë të këndshme. Të gjithë ne të tjerët jemi në mjerim" thotë një pensionist."Jam e xhindosur. Jam shumë se xhindosur sepse ata nuk po marrin një vendim dhe po na torturojnë duke pritur" thotë një studente"Unë dua të qendroj në Europë, por jo në këtë Europë. Nuk më pëlqen Europa në këtë mënyrë. Më pëlqen Europa e Miterran dhe De Gol. Kjo jo!" tregon një nëpunëseTani që politikanët thanë fjalën e fundit, duke miratuar referendumin e 5 korrikut, populli grek do të shprehë qendrimin e tij, por sipas të gjitha gjasave, fati i Greqisë do të jetë vendosur para këtij referendumi, që i tejkalon afatet e vendosura nga kreditorët e vendit."Do të votoj "jo" për të ndëshkuar bankierët dhe ata që ndihojmë ata që i vodhën paratë njerëzve" thotë një qytetar."Jam e lumtur që do të ketë referendum. Do të votoj jo" thotë një qytetare tjetër"Pyetja duhet të jetë:A doni euron, apo doni dhraminë? Vetëm atëherë referendumi i 5 korrikut do të kishte kuptim"Nëse grekët, siç duket, do të votojnë kundër propozimeve, pavarësisht frikës për një efekt domino në ekonomitë e tjera të brishta të Europës, dhe flirtit të saj me Rusinë, që çdo ditë e më tepër po kthehet në një marrëdhëniet të fortë e të qendrueshme, kancelaritë e kontinetit të bashkuar do të detyrohen të pranojnë vullnetin e popullit grek./Oranews.tv/