Fundjava në Voskopojën turistike
Voskopoja mbetet një nga destinacionet më të preferuara për turistët vendas dhe të huaj. E ndodhur vetëm 20 km larg Korçës, vazhdon të ruajë me fanatizëm traditat e trashëguara.Fshati që ka të ndërthurur vlerat historike, kulturore dhe bukuritë natyrore çdo ditë e më tepër tërheq vizitorët vendas dhe të huaj. Te organizuar, turistët zgjedhin të vizitojnë fshatin malor për klimën dhe trashëgiminë e tij.Kryetari i komunës Voskopojë, Nexhip Bacelli thekson se zona është mjaft e frekuentuar në çdo periudhë të vitit. Ajo që sipas tij e bën edhe më tërheqëse, është ruajtja shtëpive tradicionale prej guri. Nexhip Bacelli, kryetar i komunës Voskopojë: “ Fundjava në Voskopojë na gjen plot, sepse këtu shijojnë një klimë të pastër, të gjitha prodhimet tradicionale të zonës, dhe ushqimet janë shumë të mira. Voskopoja ka qenë një vend i ndërtuar vetëm me gurë. Edhe kur ka pasur mbi 30 mijë banorë, të gjitha ndërtimet kanë qenë me gurë. Prandaj të gjithë ato që ndërtojnë restorante e hotele, po i kushtojnë rëndësi punimit të gurit”. Përveç vizitorëve të huaj, fshatit turistik nuk i mungojnë as pushuesit nga zona e Korçës, të cilët e kanë kuptuar rëndësinë e Voskopojës si një nga qendrat më të rëndësishme kulturore, artistike e historike në Ballkan e më gjerë.