Ekspozitë për këngëtaren Edit Piaf në 100-vjetorin e lindjes

Baladat e saj mbi dashurinë dhe vuajtjet e zemrës e kanë shndërruar në një yll ndërkombëtar. Dhe për këtë arsye, në Paris, me rastin e 100-vjetorit të lindjes, është hapur një ekspozitë për këngëtaren Edit Piaf.Qindra postera, letra, dorëshkrime, fotografi dhe videoklipe të pa publikuara më parë, madje edhe fustani i saj i zi, janë pjesë e një koleksioni prej 400 objektesh të shfaqura në Bibliotekën Kombëtare të Francës.Në siglën thjesht "Piaf", galeria e hapur që të enjten, i lejon vizitorët të zhyten në pjesë të jetës së saj, që prej fillimeve të vështira, e deri te ngjitja e saj në majat e muzikës botërore.Çdo vizitor i galerisë është i pajisur me një kufje me të cilën udhëhiqet për të kaluar të gjitha etapat e jetës dhe karrierës së këngëtares me zërin e jashtëzakonshëm.Edit Piaf pushtoi skenat franceze dhe ndërkombëtare në vitet '40 dhe '50, me hitet e saj si "La vie en rose", "Hymne a l'amour" dhe "Non, je ne regrette rien".Në tekstet e këngëve flitej për meshkujt në jetën e saj dhe për Parisin e dashur, në të cilin jetoi deri në ditët e fundit të jetës, kur edhe humbi betejën me kancerin në vitin 1963, kur ishte vetëm, 47 vjeç.Por edhe pas gjysmë shekulli nga humbja e saj, këngët e Edit Piaf janë po aq të dëgjuara, ndërsa "La vie en rose" mbetet pa dyshim një himn i karrierës së saj magjike.