Fundjava kulturore në Tiranë, shfaqje dhe premiera për artdashësit

Këtë fundjavë shfaqje dhe premiera të reja vijnë për të gjithë artdashësit shqiptarë…Do të jetë teatri Kombëtar i cili këtë fundjavë do të vërë në skenë premierën "Gruaja në Dritare"….Shfaqja ngjitet në skenë në 18 dhe 19 prill në orën 19.00.Teatri eksperimental edhe këtë fundjavë vazhdon me shfaqjen "Arturo UI"  por me një ndryshim në orare, në 17 18 dhe 19 prill shfaqja do të ngjitet në skenë në orën 20.30. Ndërsa për fëmijët në teatrin eksperimental vjen këtë të dielë, ora 10:30, për premierën "Makina e Kohës". Një udhëtim fantastik në kohë, me plot aventura i mirëpret heronjtë në këtë histori të magjishme. Pasi bien në kontakt me Makinën e Kohës, ata arrijnë të shkojnë në epoka të ndryshme, duke takuar personazhe nga më të çuditshmit, që nga faraonët të çmendur pas arit, banorët komik Jeshil të "Planetit Jeshil", kinezët me vështirësinë e tyre në të komunikuar, e deri tek dinosaurët.Ndërsa Teatri i Operas dhe Baletit në 17 prill do të ngjisë në skenë një koncert spanjoll. Koncerti për Oboe nga Richard Strauss, koncerti i parë dhe i vetëm për oboe që kompozitori ka shkruar në vitet e fundit të jetës së tij, interpretohet nga oboisti i talentuar Oscar Diago, solist i Orkestrës Simfonike të Valles në Spanjë. El Amor Brujo (Dashuri e magjepsur), është një pjesë nga Manuel de Falla, e shkruar për balet me motive cigane dhe e përpunuar më vonë. Pjesa përmban edhe tre këngë për mexosoprano të cilat do të interpretohen nga Vikena Kamenica. Kjo është një vepër me karakter Andaluzian, ku teksti është në spanjishten e vjetër të ciganeve. Orkestra Simfonike e TKOB do të drejtohet nga Maestro Ruben Gimeno, me një karrierë shumë të gjerë të drejtimit të orkestrave jo vetëm në Spanjë por në të gjithë botën.Galeria Kombëtare e Arteve përvec linjës muzeale sjell një ekspozitë të re për të gjithë kryeqyetasit. Devrim Erbil "Me dashuri nga Stambolli" është ekspozita e parë vetjake e artistit, por publiku shqiptar është njohur në GKA me dy vepra të tij në maj 2013, në ekspozitën "Stambolli, kohë dhe vende".Ekspozita është kuruar nga kuratorja e njohur e artit turk znj. Beste Gürsu. Në të janë përzgjedhur 25 vepra. Njërën prej tyre, atë me titull "Gallataja e Gjelbërt", artisti ia dhuroi fondit të Galerisë Kombëtare të Arteve.Edhe për fëmijët një shfaqje e re vjen në teatrin e kukullave. "Arushi që nuk donte të mësonte muzikë" të shtunën dhe të dielën shfaqja vjen në orën 10:30 dhe 11:30.