Dajçi në protestë: Listat e OSHEE, tallje e dytë me Shkodrën
Listat e publikuara nga OSHEE nuk janë asgjë më shumë veçse një tallje e dytë e Qeverisë me banorët e zonës së Nënshkodrës, që u përmbyten masivisht në 2010- 2011-ën.Me këtë deklaratë, banorët e komunës Dajç lajmëruan se në 28 Shkurt do të dalin në protestë tek “Harku i Berdicës”, me kërkesën që Qeveria të dëmshpërblejë të plota dëmet e shkaktuara nga përmbytjet.Në këtë Komunë, edhe pse një ndër më të goditura nga përmbytjet, janë publikuar nga OSHEE vetëm 15 familje përfituese të kompensimit të energjisë, thotë organizatori protestës Paulin Maçaj.Paulin Maçaj, organizator i protestës: “Thirrje për një protestë popullore. U shty protesta e parë e datës 7 jo se ne ndjenim se do merrnim përgjigjen që kërkonim, por për solidarizim me zonë e jugut. U zhgënjyem shumë nga dalja e disa listave, një qeshje e dytë me popullin e Shkodrës nga Qeveria dhe ata që janë kompetentë për ato lista.Populli i Shkodrës kërkon dëmshpërblimin e plotë në banesa, bujqësi e biznese. Për këtë gjë do të organizojmë një protestë popullore. Kërkojmë mbështetje nga çdo intelektual i Shkodrës, çdo njeriu që e ndjen veten një familjar të përgjegjshëm, të përmbytur në këtë gjë, të jenë në rrugë.Ne nuk kërkojmë lëmoshë, por kërkojmë dëmin tonë të vlerësuar me ligj. Përmbytja e Shkodrës nuk ishte e një qeverie të djathtë dhe as të majtë. Për popullin një Kryeministër nuk duhet të jetë i njëanshëm siç ndodhi në jug duke dëmshpërblyer 100% një popull të përmbytur nga fatkeqësia natyrore, këtu e përmbyti dora njerëzore.Vlerësimi është bërë nga Komisioni Shtetëror dhe populli duhet të marrë atë çfarë i takon. Kërkojmë mbështetjen nga populli, një popull i bashkuar e nxjerr të drejtën e vet si forcë më e madhe. Me këtë formë shkohet në BE. Protesta do të jetë ditën e shtunë, datë 28, ora 10:00 te Harku i Berdicës”.Banorët e Nënshkodres kërkesat për dëmshpërblim të plotë i kanë parashtruar që në fillim të këtij viti, duke i lënë afat Qeverisë të vendosë për kërkesat e tyre.3 ditë më parë OSHEE ka nisur identifikimin e subjekteve të dëmtuara nga përmbytjet 2010-2011 në veri, që janë debitorë ndaj OSHEE-së.Me anë të këtij proçesi synohet evidentimi sa më i saktë i kontratave të furnizimit me energji elektrike të kategorive të prekura nga përmbytjet, që rezultojnë me debi ndaj operatorit.Nga të dhënat e Ministrisë së Brendshme, janë gjithsej 13.506 familje dhe subjekte të tjera të regjistruara me dëmtim të pronës “ndërtesë” dhe “bujqësi”.Pas rakordimit të faturave të papaguara, OSHEE do të vendosë për fshirjen nga sistemi të këtyre detyrimeve.Përfitues janë banorë të komunave Rrethina, Koplik Qendër, Kastrati, Guri i Zi, Gruemirë, Dajç, Bushat, Bërdicë, Ana e Malit dhe Bashkia e Shkodrës.