Marrëveshja e Mukjes, Uran Butka: Miladin Popoviçi e grisi dhe ia hodhi në fytyrë Enverit
Historianët vijojnë të jenë të ndarë mbi faktin se kush qëndron pas prishjes së marrëveshjes së Mukjes.Ndryshe nga Kristo Frashëri që për këtë fajëson Ballin Kombëtar, shkrimtari, historiani dhe studiuesi Uran Butka deklaroi në studion e emisionit “Jamais Vu” të gazetarit Mustafa Nano se marrëveshja u prish nga vetë Partia Komuniste.Sipas tij, Miladin Popoviçi, e grisi marrëveshjen dhe ia hodhi Enver Hoxhës në fytyrë, sepse nuk ishte në interesin e tyre.“Kristo Frashëri mendoj që gabon sepse ai i bën çështjes të njëjtin trajtim që i bëri Enver Hoxha dhe historiografia komuniste. Mukja është një nga ngjarjet më madhore të historisë së kombit. Aty u bashkuan të dy krahët e politikës dhe të luftës. Ishte Italia fashiste, por në Shqipëri po vinte dhe Gjermania naziste.Duhej të bashkoheshin të gjitha forcat që t’i bënin ballë. Ishte nisma e PKSH që kërkoi bashkimin. Por kishte dhe presion nga aleatët që shqiptarët të luftonin bashkë. Në Mukje u morën vendime të rëndësishme. Ishte një program model, jo për në atë kohë por dhe për sot.Këtë marrëveshje e prishi Partia Komuniste. Miladin Popoviçi e grisi marrëveshjen dhe ia hodhi Enver Hoxhës në fytyrë, sepse nuk ishte në interesin e tyre”.I pyetur se pse nuk ka pasur vajza në radhët e Ballit Kombëtar e Legalitetit, Butka tha se Mitat Frashëri sado liberal nuk e shihte femrën si një luftëtare për të vrarë.“Lidhet me një tjetër të dhënë që Balli, Legaliteti dhe Nacionalistët ishin më konservatorë. Mitat Frashëri, edhe pse ishte liberal, i shkolluar në perëndim, por si njeri paqësor që ishte, nuk e shihte femrën si një luftëtare për të vrarë”.