"Charlie Hebdo" kthehet në treg, kërkohen karikaturistë të rinj
Gazeta e përjavshme “Charlie Hebdo”, pas një mungese prej 50 ditësh kthehet në treg. Të mërkurën më datë 25 shkurt, gazeta satirike do të nxjerrë botimin e saj numër 1179.Botimi i saj i 14 janarit, direkt pas sulmit terrorist, arriti të shiste 8 milionë kopje dhe nga 10 mijë, numri i të abonuarve arriti në 220 mijë. Drejtori i ri, Riss, njoftoi se gazeta ishte në kërkim të karikaturistëve të rinj. Por shumë prej tyre kanë refuzuar nga frika e atentateve të tjera.Gazeta do të ketë 16 faqe me tema politike, ekonomie dhe aktualiteti. Redaksia është akoma nën shok pas sulmit ku vdiqën 11 persona.“Nuk janë parashikuar homazhe të reja për viktimat,” shpjegon për La Repubblica, Patrick Pelloux, bashkëpunëtor i gazetës Charlie Hebdo, “kurrë nuk kemi qenë një gazetë e përfshirë nga lotët”.Kërkimi kër karikaturistë të rinj nuk ka qenë i lehtë. Shumë kanë refuzuar, të tjerë kanë kërkuar të përdorin pseudonim. Në fund, janë prezantuar vetëm dy.Që pas atentatit, Charlie Hebdo ka rritur numrin e lexuesve të saj dhe të ardhurat deri në 30 milionë falë donacioneve të shumta. Kjo trashëgimi, paralajmërojnë nga redaksia, mund të rrisë tensionet. Në javët e ardhshme, Komuna e Parisit do t’i dhurojë të përjavshmes zyra të reja. Ky veprim do të bëhet vetëm kur redaksia të transformohet në një bunker.