Ukraina hedh një hap drejt NATO-s,shfuqizon statusin neutral të vendit
Parlamenti ukrainas votoi të martën për të shfuqizuar statusin neutral të vendit, duke hedhur kështu një hap të rëndësishëm drejt antarësimit në NATO.Një lëvizje kjo që duket se ka acaruar së tepërmi Moskën, e cila e sheh zgjerimin e Aleancës së Atlantikut Verior në lindje si një kërcënim për sigurinë e saj.Në fjalimin e mbajtur në parlament para votimit, Ministri i Jashtëm ukrainas, Pavlo Klimkin, tha se shfuqizimi i statusit neutral theksonte vendosmërinë e vendit për t'u orientuar nga Europa dhe Perëndimi.Ndërsa ish-kryeministrja, Julia Timoshenko, tha se ky ligj ishte jetik për Ukrainën në këtë periudhë të vështirë."Të gjithë duhet ta votojmë këtë projektligj, që është vendimtar për gjendjen në të cilën ndodhemi. Ky projektligj është për paqen, për reformat strategjike dhe për një vend në qytetërimin europian!"Dhe në fakt, projektligji mori 303 vota, 77 më shumë se sa minimumi i nevojshëm për të hyrë në fuqi. Megjithatë, edhe pse NATO është shprehur disa herë që i ka dyert e hapura për këdo që dëshiron të antarësohet, do të duhen disa vjet që Ukraina të bëhet pjesë e aleancës.Lidhjet mes Kievit dhe Moskës janë në nivelin më të ulët historik që prej aneksimit të Krimesë nga Rusia dhe mbështetjen e separatistëve pro rusë në lindje të Ukrainës.Megjithatë, kjo nuk e ka penguar Rusinë të denoncojë perëndimin për strategjinë e vet të zgjerimit. Vetëm pak ditë më parë, në konferencën vjetore për shtyp, Presidenti rus, Vladimir Putin, tha se NATO po ringre Murin e Berlinit duke ngritur sisteme sulmuese në vendet kufitare me Rusinë.Kritika për përfshirjen e vendeve të ish-Traktatit të Varshavës në NATO janë bërë edhe nga ish-Presidenti i Bashkimit Sovjetik, Mihajl Gorbaçov, gjatë pjesëmarrjes në festimet e 25-vjetorit të Shembjes së Murit të Berlinit në Gjermani.