Babagjyshët palestinezë përleshen me forcat izraelite

Dhjetra palestinezë, disa prej tyre të veshur si babagjyshë, u përleshën me forcat izraelite të sigurisë në Betlehem, një ditë para nisjes së festimeve për Krishtlindjet, pikërisht në qytetin e Bregut Perëndimor ku mendohet se ka lindur Jezu Krishti.Protestuesit u mblodhën në një pikë kontrolli në qytet për të kundërshtuar pushtimin izraelit, që sipas tyre u kontrollon jetët dhe u ka ngritur një mur ndarës me pjesën tjetër të vendit.Sipas ushtrisë izraelite në protestë ishin të pranishëm rreth 80 vetë që goditën me gurë ndaj forcave të sigurisë, ndërkohë që kjo e fundit u kundërpërgjigj me gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën.Izraeli ka ngritur që në vitin 2000 një barrierë, me mure të lartë dhe tela me gjemba rreth Bregut Perëndimor, në përgjigje të sulmeve vetëvrasëse të palestinezëve.Mes 4 milionë myslimanëve në zonat e pushtuara nga izraelitët në Rripin e Gazas dhe Bregun Perëndimor jetojnë edhe 50 000 palestinezë të krishterë, 17 000 prej tyre katolikë.Sipas tyre, barrierat e ngritura nga Izraeli i kanë lënë ata larg kontaktit me vendet e shenjta në Jeruzalem.Problemi i kufizimit të lëvizjes për palestinezët rikthehet në qendër të debatit çdo vit me afrimin e Krishtlindjeve, kur mijëra turistë nga e gjithë bota vizitojnë Betlehemin dhe pjesë të tjera Bregut Perëndimor dhe Jeruzalemin për të përkujtuar lindjen, jetën dhe vdekjen e Jezusit.Kur mbërrijnë në Betlehem, një qytet vetëm tetë kilometra në jug të Jeruzalemit, me 25 mijë banorë, çështja kritike është kalimi përtej barrierave të ngritura nga ushtria izraelite dhe kalimi i natës atje.Duke parë vështirësitë, shumë turistë zgjedhin të  qëndrojnë në Jeruzalem dhe ta vizitojnë Betlehemin brenda ditës.Por sipas palestinëzve për shkak të rritjes së pranisë së izraelitëve përreth qytetit, numri i turistëve po zvogëlohet gjithnjë e më tepër çdo vit.Çdo mëngjes të 24 dhjetorit, në prag të Krishtlindjeve, Patriarku i Katolikëve të Jeruzalemit, Fuad Tual, niset bashkë me një karvan besimtarësh drejt Betlehemit, ku mban edhe meshën e mbrëmjes në Kishën e Lindjes së Krishtit.