Bode: Rama dhe INSTAT shifra të ndryshme për punësimin

Për Partia Demokratike kryeministri Rama dhe INSTAT  gënjejnë me shifrat e punësimit. Sipas PD ka një konfuzion mes kryeministrit Rama dhe INSTAT në lidhje me këto shifra.Në një dalje për mediat nga selia blu, deputeti i PD, Ridvan Bode tha se Rama ka deklaruar pak ditë me parë se janë punësuar 81 mijë persona, ndërsa INSTAT ka dhënë një shifër prej 36 mijë persona. Realiteti tha Bode është krejt ndryshe, ku dhjetëra dhe mijëra qytetarë humbasin vendin e punës.“Ndërsa sot në Parlament – u shpreh deputeti Bode- Rama bëri avokatin e gënjeshtrës së INSTAT”“Ditë më parë Kryeministri Rama tha një gënjeshtër të madhe, të cilën edhe oborri qeveritar e përqeshi, se, në tremujorin e tretë të këtij viti, ishin punësuar 81 mijë të papunë.“Dje nxorri tellallin e vet, INSTAT, për ta përgenjështruar kryeministrin, me një gënjeshtër të re: në tremujorin e tretë nuk janë punësuar 81 mijë, por 36 mijë vetë. Kurse sot në Parlament, bëri avokatinë e kësaj gënjeshtre të re të INSTAT. Realiteti, të cilit qeveria i largohet çdo ditë e më shumë, flet për të kundërtën. Dhjetra mijëra qytetarë që humbasin çdo ditë vendet e punës për shkak të ndrydhjes së ekonomisë, shkojnë në zyrat e punësimit dhe përzihen prej andej me policë. Absurditeti i deklarimeve për rritje punësimi nga ana e Qeverisë dhe INSTAT qëndron në faktin se ky punësim shtesë paska ndodhur kryesisht në degët e industrisë me një rritje prej 7.8% dhe në ndërtim me 6.2%, pikërisht degët që një muaj më parë u raportuan me rënien më të thellë ekonomike respektivisht me 8 dhe 22%.”Për PD të vetmet “reforma” të ndërmarra nga qeveria për punësim dhe mirëqënie janë rritja progresive e taksave dhe rritja e çmimit të energjisë, të cilat sigurisht që pakësojnë punën dhe rrisin varfërinë.