NATO refuzon Erdoganin: S'do të ketë zonë sigurie në Siri

NATO nuk po mendon të vendosë një zonë sigurie ku do të ndalohen fluturimet në veriun e Sirisë. Këtë e konfirmoi një prej gjeneralëve të aleancës. Kjo masë sigurie është kërkuar nga Turqia disa herë, në mënyrë që të ndihmojë në lehtësimin e presionit të madh mbi sigurinë dhe krizën humanitare që po ndodh në kufirin e saj më Sirinë.Turqia është vendi me ushtrinë e dytë më të madhe brenda aleancës dhe brenda kufijve të saj ndodhet shtabi i komandës tokësore të NATO-s, që merret me përmirësimin e rendimentit dhe kohës veprimit për të gjitha forcat tokësore.Edhe pse Turqia nuk i ka bërë asnjë kërkesë formale NATO-s për vendosjen e zonës së sigurisë, presidenti Erdoan dhe personalitete të tjera politike të vendit e kanë përsëritur shpesh këtë synim, për të lejuar që të paktën disa prej refugjatëve sirianë, që deri më tani numërohen të jenë 1,6 milionë, të kthehen në vendin e tyre.Por shefi i ri i komandës tokësore, Gjenerali Xhon Nikolson e hodhi poshtë këtë mundësi, gjatë një intervistë të dhënë në qytetin bregdetar, Izmir. "Ngritja e zonës së sigurisë është një sipërmarrje që kërkon burime të mëdha. Për momentin nuk po e mendojmë një gjë të tillë", u shpreh Nikolson.Sipas ekspertëve ushtarakë, një lëvizje e tillë do të përshkallëzonte krizën e NATO-s me qeverinë siriane, e cila ende nuk i ka aprovuar zyrtarisht sulmet ushtarake ajrore mbi territorin e saj, të cilat koalicioni i udhëhequr nga SHBA po kryen kundër militantëve të Shtetit Islamik. Edhe pse Erdoan e ka bërë të qartë se koalicioni duhet të synojë edhe rrëzimin e presidentit Asad nag pushteti, kjo do të rrezikonte tensione të tjera me aleatët e tij, Rusinë dhe Iranin, me të cilat perëndimi po diskuton respektivisht për krizën e Ukrainës dhe çështjen e armatimeve bërthamore.