Sulka: Energjia u rrit dhe s'dihet sa para duhen për ta kompensuar
Tiranë – A konsiderohet i rritur, çmimi i energjisë elektrike pas heqjes së fashës 300 kW? A mund të ndihmohen si duhen dhe si, shtresat në nevojë? Në emisionin e së hënës “Tonight Ilva Tare” diskutimi ndërmjet katër të ftuarve u fokusua në një debat ndërmjet ish-Zv.ministrit të Punës Kastriot Sulka dhe kreut të Shërbimit Social Shtetëror, Etleva Bishës për këtë çështje.Sulka i qëndroi mendimit se pavarësisht atyre çfarë thuheshin, e vërteta është se çmimi i energjisë elektrike u rrit pas heqjes së fashës dhe qeveria nuk ka shifër të saktë kompensimi në buxhet për familjet e varfra, të cilat tani janë shtuar edhe më që pas heqjes së mijërave prej tyre nga lista e ndihmës ekonomike dhe rritja e papunësisë.Çmimi i energjisë elektrike, - tha Sulka, - “ është një problem serioz dhe nuk ka vend për të bërë ndonjë ironi. Mund të bëja dhe ndonjë ironi të madhe duke filluar nga fakti se kemi nja 9 muaj duke bërë atë lojën “do rritet, s’do rritet.” Sa herë ngrihet zëri i opinionit publik, “jo, s’do kemi rritje”, pastaj “do ta ristrukturojmë” e sot kemi ardhur në një fakt të kryer: “Jo, ajo s’është një rritje, por është ristrukturim”. Pra, kemi një rritje të çmimit të energjisë elektrike. Kemi kaq kohë që themi se do kemi rritje të çmimit të energjisë,që kur u mor ai 90-milionshi me CEZ-in. Ishte e saktë e ja ku erdhi. Pra, rritet çmimi i energjisë elektrike.Ajo që është më e rëndësishme është se jemi me një ndjenjë të madh humori, - tha ai. -Jemi në fund të vitit, buxheti shkoi sot në Parlament dhe ne nuk e kemi idenë sa buxhet na duhet për të bërë këtë kompensim. Sa është çmimi, sa do të bëhet e për të cilin nuk të duhen 15 milionë të deklaruara, po 16 milionë?!Kur erdhi FMN-ja dha dy arsyetime: Doni të merrni paratë? Ose menaxhojeni mirë ose mënyra më e mirë për këtë punë është që ju të rrisni çmimin dhe t’ia kaloni popullit, se e dimë që ju nuk e bëni dot këtë menaxhimin. Mirëpo bën vaki, duke qënëse kemi marrë policinë dhe gjithë me radhë ata njerëz , bën vaki e jemi të sukseshëm, do ta ulim prapë këtë çmim?! Se një pjesë e mirë e njerëzve janë këta që s’kanë paguar. Do t’i themi popullit: Na falni, e rritëm gabimisht, e kemi pasur me këta hadutët e mëdhenj! Dhe ne do ta kthejmë edhe njëhërë tjetër. Pra, problemi është se asnjeri nuk e di.”Në emision, Drejtoresha e Përgjithshme e Shërbimit Social sqaroi mënyrën sesi procedohet tashmë për ndihmën ekonomike dhe sa është forcuar bashkëpunimi me Zyrat e Punës.Të ftuar në emision ishin dhe krerët e dy shoqatave: Osman Terziu, kryetar i shoqatës së pensionistëe të integruar dhe Mylbere Prizreni, kryetare e shoqatës së paraplegjikëve dhe tetraplegjikëve, të cilët qenë të mendimit se qeveria duhet ta shohë më mirë dhe më shpejt, mënyrën e kompensimit të shtresave vulnerabël.ar.sh/Oranews.tv