Rama në forumin “Qyteti Inteligjent”: Shqipëria s’vuan për ligje, po zbatimin

Durrës- Kryeministri, Edi Rama, tha se problemi me Shqipërinë nuk është mungesa e ligjeve, por zbatimi i tyre.“Për numër konferencash, për numër strategjish, për numër ligjesh, për numër platformash, për numër forumesh, për numër seminaresh, workshop-esh e ku e di unë, ne sigurisht lëmë pas një numër të konsiderueshëm vendesh të Bashkimit Europian. Padyshim, në këtë aspekt jemi përpara Gjermanisë. Nuk janë ligjet që sigurisht do ti bëjmë sepse na i kërkojnë edhe ne Bruksel, por është zbatueshmëria e tyre dhe është procesi i ndërveprimit që është sfida jone e madhe”.Kryeministri deklaroi se zëri i infrastrukturës dixhitale do të jetë çdo vit edhe më i fuqishëm.“Për vitin e ardhshëm ne kemi përcaktuar volumin më të madhe të bërë ndonjëherë të financimit për sistemet inteligjente dhe inovacionin, duke e konsideruar këtë pjesë si pjesë të investimit në infrastrukturën në tërësi. Në se kemi një domosdoshmëri të madhe dhe një volum të madh të të ardhurave , ne i drejtojmë tek infrastruktura e jetës së përditshme që na mundëson lëvizjen , komunikim, ndërveprimin fizik, zëri I infrastrukturës dixhitale do të jetë çdo vit e më I fuqishëm, ndër zërat e investimeve tona publike”.Deklaratat shefi i qeverisë i bëri në Forumin e parë Ndërkombëtar në Shqipëri për “Qytetin Inteligjent”, i cili nisi sot punimet në Durrës.I pranishëm në aktivitet, Ambasadori italian në vendin tonë, Massimo Giaiani, tha se përpjekja për krijimin e qyteteve inteligjente përbën një sfidë që lidhet sa me zhvillimin, aq edhe me zgjidhjen e problematikave nga më të ndryshmet ekonomike e sociale.“Besoj se kjo është një ndryshim hapi, një ndryshim kulture që dëshmon interesin e qeverisë së re për këto tematika. Nuk ka asnjë dyshim që qytetet përveçse kanë qenë djepi i qytetërimeve tona do të jenë edhe ato ku do të luhet edhe sfida e zhvillimit. Shqipëria ka një avantazh kur flitet për mbështetje sepse ka një prodhim komplet të pastër të energjisë, por besoj se edhe Shqipëria nuk ka imunitet nga problemet.Pika e parë me të cilën duhet të përballemi është ajo e të shkuarit drejt një eficence më të madhe në përdorimin e energjisë në këtë pikë qytetet shqiptare mund të bëjnë hapa përpara shumë të forta. Pika qendrore e të gjithë çështjes mendoj se është planifikimi urban që ka munguar totalisht në Shqipëri në vitet e fundit dhe që mund të sjellë një zhvillim më të rregullt dhe me efiçent.Jam i bindur që është një temë që ka vëmendjen e qeverisë që po i dedikon një vëmendje të veçantë. Do jetë e mundur gjithashtu të përdoren fondet europiane dhe besoj se këtu do të luhet e ardhmja e Shqipërisë”.Në vijim, përfaqësues të kabinetit qeveritar shqiptar, Ministra të Kosovës, Maqedonisë dhe aktorë të rëndësishëm në fushat përkatëse nga Italia, Anglia, Austria, Holanda e Gjermania, diskutuan bashkërisht për iniciativat e ardhshme dhe bashkëpunimin për krijimin e qytetit inteligjent.