Serbi, Ambasada shqiptare në shtetrrethim, Dervishi: S'ka kërcënim
Beograd-Ambasada shqiptare në Beograd është blinduar nga forcat e sigurisë serbe në kuadër të masave të marra për ndeshjen Partizani- Crvena Zvezda, që do të luhet mbrëmjen e sotme.
Selia diplomatike është rrethuar nga forca të shumta policie si dhe nga mjete të blinduara. Burime për Ora News bëjnë me dije se pranë Ambasadës qëndron një autoblind që përdoret për të shpërndarë protestuesit me ujë dhe katër mjete të tjera autoblinde dhe tanke.
Masat vinë para fillimit të ndeshjes Partizani- Crvena Zvezda, tifozët e të cilave sa herë ndeshen e kthejnë qytetin e Beogradit në një arenë lufte.Por shtimi i sigurinë para Ambasadës shqiptare në Serbi vjen dhe pas incidenteve të shënuara në ndeshjen e 14 tetorit mes kombëtareve të dy shteteve.Glevin Dërvishi, Këshilltar për mediat në Ministrinë e Jashtme tha për Ora News, se masat e shtuara të policisë janë të gjitha në funksion të evitimit të ndonjë përplasje mes tifozëve në prag të ndeshjes që do zhvillohet në Beograd."Para 40 minutash na kontaktuan stafi ynë në Ambasadën në Beograd për të na vënë në dijeni mbi forcën e shtuar të forcave të sigurisë në ambientet rreth e qark Ambasadës.Bëhet fjalë për forca të policisë dhe atyre speciale të cilat kanë marrë në ruajtje dhe kanë rritur prezencën pranë Ambasadës për të evituar ndonjë përplasje të mundshme gjatë pasdites si rezultat i ndeshjes që do luhet në Beograd.Situata paraqitet e qetë para Ambnasadës, nuk është se ka grumbullime të mëdha njerëzish. Vetëm forca të shtuara të sigurisë. Pala serbe ka dëshmuar gadishmërinë për të rritur sigurinë pranë Ambasadës.Ambasada jonë në Beograd është kontaktuar nga autoritetet serbe për ti shprehur gadishmërinë dhe për ta njohur me planin e msave që po merren për situatën e paraqitur atje" tha ai.O pyetur nëse Ministria e Jashtme ka ndonjë informacion për rrezik real të stafit të Ambasadës tonë atje, Dervishi tha se për momentin nuk ka diçka të tillë, por në varësi të zhvillimeve ai nuk përjashtoi edhe mundësinë e tërheqjes së stafit diplomatik shqiptar nga Serbia."Deri në këto momente nuk kemi informacion ekstra për sigurinë e jetës të stafit tonë diplomatik që punon në Ambasadën tonë në Beograd.Në varësi të zhvillimeve do të marrim një vendim nëse do të jetë e nevojshme për të garantuar jetën e mëtejshme të stafit diplomatik që punon në Ambasadë.Por në këto momente nuk kemi asnjë vendimarrje sepse nuk kemi një kërcënim real ndaj stafit të Ambasadës".