Edhe Obamës nuk i pranohet karta e kreditit, Mishel paguan darkën

SHBA- A ju ka ndodhur ndonjëherë që karta juaj e kreditit të mos ju pranohet në restorant apo dyqan? Nëse po, mos u mërzisni! Sepse kjo i ka ndodhur edhe njeriut më të fuqishëm në botë, Presidentit amerikan.Duke folur në një takim të Zyrës së Mbrotjes së Konsumatorëve, Barak Obama i tha të pranishmëve se jo më larg nga muaji i kaluar, ndërsa po darkonte në Nju Jork, karta iu refuzua."Me sa duket nuk e përdor shumë, kështu që do kenë menduar se ishte ndonjë mashtrim", tha Presidenti."Por fatmirësisht Mishel kishte kartën e saj. Po përpiqesha t'i shpjegoja kamarieres se nuk i paguaj faturat e mia", shtoi ai, duke shkaktuar të qeshura në sallë.Presidenti dhe zonja e parë kishin darkuar në një restorant luksoz në qendër të Manhatanit gjatë qendrimit në Nju Jork me rastin e Asamblesë së Kombeve të Bashkuara në shtator.Obama gjithashtu bëri të ditur se administrata e tij do të vendoste masa të reja sigurie deri vitin e ardhshëm për kartat e kreditit, si mikroçipe dhe elementë të tjerë, për të shmangur problemet financiare për miliona amerikanë, të cilët bien pre e vjedhjeve, sidomos kur përdorin kartat e kreditit për të bërë blerje në internet.