Arrihet marrëveshja me CEZ, 100% të aksioneve të OSHEE i kalojnë shtetit shqiptar
Ministria e Energjisë dhe Industrisë ka nënshkruar ditën e sotme marrëveshjen ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe shoqërisë CEZ a.s, për Transferimin e 100% të Aksioneve të shoqërisë OSHEE shtetit shqiptar, të cilat ishin në pronësi të shoqërisë CEZ a.s.Lajmi është bërë i ditur nga Ministria e Energjisë dhe Industrisë. Sipas Ministrisë së Energjisë, kjo marrëveshje përmbyll edhe procesin e zgjidhjes me mirëkuptim të mosmarrëveshjeve me shoqërinë CEZ a.s, që u nënshkrua në qershor 2014."Me anë të kësaj marrëveshje, tashmë 100% të aksioneve të shoqërisë OSHEE i kalojnë shtetit shqiptar dhe në këtë mënyrë përfundon edhe faza e administrimit të përkohshëm të shoqërisë e cila kishte filluar që në Janar 2013."Sipas ministrisë kjo marrëveshje i hap rrugë qeverisë që të fillojë reformimin për administrimin e OSHEE dhe përmirësimit të rrjetit të shpërndarjes."Përfundimi i këtij procesi i krijon tanimë mundësinë qeverisë që të fillojë reformimin në mënyrën e administrimit të Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) dhe në sajë edhe në mbështetjes së donatorëve, të ndërhyjë për kryerjen e investimeve që synojnë përmirësimin e rrjetit të shpërndarjes në të gjithë komponentët dhe rritjen cilësore të shërbimit ndaj konsumatorëve."