Spanjë, 740 mijë firma kundër kryeministrit
Me dhjetëra mijëra protestues u rikthyen në rrugët e Madridit dhe disa qyteteve kryesore spanjolle, për të kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Mariano Rajoy, i përfshirë në një skandal korrupsioni së bashku me disa anëtarë të tjerë të partisë në pushtet.Ndërkohë, një peticion që po qarkullon në internet dhe kërkon dorëheqjen e Rajoy ka grumbulluar deri tani 740 mijë firma në pak orë.Ditën e shtunë, Rajoy theksoi se nuk kishte pranuar kurrë para të jashtëligjshme, prandaj nuk “ka ndërmend të japë dorëheqjen”.Pavarësisht deklaratës së tij, Prokuroria spanjolle ka nisur një hetim në lidhje me akuzat e publikuara disa ditë rresht në të përditshmen “El Pais”.Sipas akuzave publike, një skemë e jashtëligjshme lejoi kryeministrin dhe drejtues të tjerë të partisë së tij që të devijonin fonde publike në llogaritë e tyre.Dyshohet se Rajoy ka përvetësuar deri në 25 200 euro, përpara se të fitonte zgjedhjet dhe të shndërrohej në Kryeministrin e Spanjës në vitin 2011, me premtimin e parealizuar ende të rikthimit të rritjes në ekonominë vendase dhe të reduktimit të borxhit të lartë publik.I pyetur gjatë javës, prokurori Eduardo Torres-Dulce, deklaroi se po merr në konsideratë mundësinë e marrjes së kryeministrit dhe zyrtarëve të tjerë të lartë në pyetje.”El Pais” pretendon se skema korruptive, e cila ka funskionuar për 19 vite me radhë, ndonëse nuk është ideuar nga politikanët aktualë, është shfrytëzuar prej tyre me vetëdije të plotë.Ndërkohë, gjendja e rënduar ekonomike në vend ka bërë që gjithmonë e më shumë spanjollë të fajësojnë korrupsionin për problemet ekonomike.Një sondazh i publikuar më parë gjatë janarit, tregoi se 17% e spanjollëve rendisin korrupsionin si problemin e parë kryesor për vendin, një normë pothuajse dyfish më e lartë nga perceptimi i muajit paraardhës.Aktualisht, Spanja është duke u përballur me faktorë të shumtë që pengojnë rritjen ekonomike, midis të cilëve borxhi i lartë kombëtar, defiçiti i lartë buxhetor, masat e ashpra shtrënguese të kursimit, mungesa e konkurrencës, borxhi i lartë i sektorit privat dhe mungesa e qëndrueshmërisë në sistemin bankar.Problemi i papunësisë është më akuti për vendin, me më shumë se pesë milionë spanjollë ose 26% e forcës aktive që është e papunë, shifër që kalon 55% për grupmoshën 18-25 vjeç.Problemet serioze për ekonominë spanjolle kanë bërë që vendi të përballet me lëvizje gjithmonë e më të fuqishme separatiste, me krahina si Katalunja që kanë vënë në lëvizje një aksion politik për fitimin e pavarësisë nga Spanja.