Hollande: Ndihmë në rindërtimin e Malit
Presidenti francez Francois Hollande ka deklaruar se qeveria e tij do të ndihmojë në rindërtimin e Malit, tre javë pas nisjes së ofensivës kundër rebelëve islamikë që kishin marrë nën kontroll veriun e vendit.Duke folur në kryeqytetin Bamako, Hollande bëri thirrje për më shumë ndihma për ish-koloninë franceze dhe për restaurimin e objekteve kulturore të dëmtuara nga rebelët.Zoti Hollande tha se Franca do të vazhdojë ta ndihmojë Malin në rivendosjen e kontrollit në veri të vendit. “Grupet terroriste janë dobësuar, por nuk janë eleminuar”, tha ai.Duke premtuar se trupat franceze do të qëndrojnë në Mali për aq kohë sa të jetë e nevojshme, presidenti shtoi se, Franca do t’ua dorëzojë kompetencat e sigurisë trupave afrikane sapo sovraniteti të jetë rivendosur.Zoti Hollande i bëri deklaratat e tij teksa shoqërohej nga lideri i përkohshëm i Malit, Dioncounda Tarore, i cili falenderoi Francën për çlirimin e veriut nga “barbarizmi dhe errësira”.Presidenti premtoi gjithashtu angazhimin për restaurimin e objekteve kulturore të dëmtuara nga rebelët, të cilët i vunë flakën 2 mijë dorëshkrimeve antike në Timbuktu, që ishin pjesë e trashëgimisë së UNESCO-s. “Ne nuk mund ta tolerojmë atë që ndodhi”, tha ai.Më herët gjatë ditës zoti Hollande udhëtoi në qytetin verior, që u rimor nën kontrollin e trupave franko-maleze gjashtë ditë më parë. Mijëra banorë e pritën atë me brohoritjet “Rroftë Franca”.