Zv.presidenti amerikan Xho Bajden viziton Evropën

Zv.presidenti i Shteteve të Bashkuara, Xho Bajden është nisur për një vizitë në tri vende të Evropës që pritet të përqendrohet kryesisht në luftën civile në Siri.Kjo është vizita e tij e parë jashtë vendit që nga fillimi i mandatit të dytë të administratës Obama më 20 janar. Bajden do të bëjë ndalesën e parë në Berlin për bisedime sot me Kancelaren e Gjermanisë Angela Merkel. Veç Sirisë, bisedimet ka të ngjarë të përfshinë edhe ekonominë globale, Afganistanin dhe programin bërthamor të Iranit.Të shtunën, zv/presidenti Bajden do të mbajë një fjalim në Konferencën e 49-të të Mynihut për Sigurinë, një forum ku ai foli edhe katër vjet më parë. Zyrtarët amerikanë thonë se gjatë pushimeve të konferencës ai do të mbajë një sërë bisedimesh dypalëshe me funksionarë të ndryshëm, përfshirë edhe ministrin e Jashtëm të Rusisë, Sergei Lavrov. Zyrtarët thonë gjithashtu se zv/presidenti do t’i kërkojë zotit Lavror të bëjë një deklaratë më të qartë për pozitën e Rusisë ndaj Sirisë.Rusia është aleate e Sirisë. Rusia dhe Kina i kanë vënë veton tre herë rezolutave të Këshillit të Sigurimit për masa ndaj Sirisë, megjithëse janë bërë objekt kritikash nga komuniteti ndërkombëtar si mbrojtëse të regjimit të Presidentit Bashar al-Asad.Zv/presidenti Bajden ka në plan gjithashtu të zhvillojë bisedime dypalëshe në Mynih me të dërguarin e Kombeve të Bashkuara dhe Lidhjes Arabe për Sirinë, Lakhdar Brahimi, i cili ka paralajmëruar se Siria po shkatërohet, si dhe me Moaz al-Khatibin, presidentin e këshillit të opozitës siriane.Diskutime të ngjashme pritet të zhvillohen javën e ardhëshme kur zv/presidenti të shkojë në Paris për t’u takuar me Presidentin e Francës Fransua Olondë dhe në Londër me Kryeministrin britanik, Dejvid Kameron dhe zv/kryeministrin Nik Kleg.