Ankara, shpërthim përpara Ambasadës amerikane, dy të vdekur

Nga një sulm terrorist është përfshirë Ambasada amerikanë ne Turqi, ku ka pasur si bilanc dy të vdekur, rojen e Ambasadës një shtetas turk dhe autorin që kreu këtë shpërthim, i cili u vetëvra pasi shpërtheu lëndën eksplozive që mbante në trup. Sipas autoriteteve shpërthimi, ka ndodhur në një hyrje anësore të kompleksit, e cila ruhej mire pasi kjo hyrje funksiononte për vizitorët që aplikonin për viza.Sulmi dyshohet se mund të jetë kryer nga Al Kaeda ose një paralajmërim për Iranin. Ndërsa nga ana tjetër mediat turke raportojnë se autoritetet kanë identifikuar sulmuesin, i cili thuhet se nuk ishte një ekstremist islamik, por i përkiste një grupi ekstremist marksiste. Jay Carney, Sekretari i shtypit i Shtëpisë së Bardhë e ka cilësuar sulmin si një "akt terrori”. Por ai tha se zyrtarët nuk i dinë motivet dhe përgjegjësit e sulmit.Gjithashtu raportohet se godina e Ambasadës nuk është prekur nga shpërthimi, ndërkohë që ambasadori amerikan në Turqi, Francis J. Ricciardone Jr. tha për mediat se kjo që ndodhi ishte e trishtueshme dhe kërkoi zbardhjen e ngjarjes. Pas sulmit dhjetra ambulanca dhe forca të shumta policore mbërritën në vendngjarje dhe izoluan zonën."Ne mund të konfirmojmë një shpërthim terrorist në një pikë kontrolli në perimetrin e kompleksit tonë ambasadës në Ankara, Turqi," tha zëdhënësja e Departamentit të Shtetit Victoria Nuland por vuri në dukje se po hetohet për këtë ngjarje.Sulmi, vjen pas gati pesë muajsh pas ai që ndodhi mbi konsullatën amerikane në Bengazi dhe në ditën kur John Kerry u betuar zyrtarisht si sekretar i Shtetit. Ndërkohë që SHBA mbështet Turqinë me raketa Patriot që u vendosën kohët e fundit në kufirin me Sirinë, së bashku me disa trupa amerikane, për të operuar sistemin e mbrojtjes nga raketat brenda Turqisë.Por në shtetin turk sulme të tjera që janë faqësuar si Al-kaeda apo kurdët kanë ndodhur edhe në vitin 2003 dhe në 2008 dhe ky sulm është dënuar nga Kryeministri Taip Erdogan. Edhe politika shqiptare, e ka dënuar këtë sulm, Ministri i Jashtëm Edmond Panariti, kreu i PS Edi Rama, LSI e PDIU. Ndërkohë sulmi në Ambasadën amerikanë në Turqi ka sjellë blindimin e selisë së saj edhe në Tiranë, ku forca të shumta policie kanë rrethuar zonën.