Hilary Clinton mban fjalimin e fundit si sekretare shteti
Në fjalimin e fundit si Sekretare amerikane e shtetit, Hillary Clinton ka thënë se Shtetet e Bashkuara janë më të fuqishme brenda dhe më të respektuara në botë, sesa në kohën kur ka marrë postin e kryediplomates, katër vjet më parë."Shumëçka ka ndryshuar në katër vjetët e fundit. Nën udhëheqjen e presidentit Obama, ne kemi përfunduar luftën në Irak, kemi nisur tranzicionin në Afganistan dhe kemi sjellë Osama bin Ladenin para drejtësisë. Po ashtu kemi rigjallëruar diplomacinë amerikane dhe kemi forcuar aleancat" tha ajo."Rimëkëmbja ekonomike nuk është ende e plotë, por jemi në drejtim të duhur. Me pak fjalë, Amerika sot është më e fuqishme brenda dhe më e respektuar në botë. Dhe, udhëheqja jonë globale është në pozitë më të fortë seç është parashikuar" theksoi më tej Clinton.Clinton ka thënë se Amerika do të mbetet fuqia e nevojshme e botës, por duhet të vazhdojë të përdorë mjetet e shekullit 21 të diplomacisë, përfshirë fokusin në teknologjitë e reja.Clinton ka thënë se synimet e politikës së jashtme në vitet e ardhshme përfshijnë konsolidimin e pozicionit të SHBA-së në Azi, përfundimin e luftës në Afganistan, drejtimin e ndryshimeve në Lindjen e Mesme dhe vazhdimin e angazhimit të gjerë ekonomik.Sekretarja po ashtu i ka bërë thirrje Uashingtonit të ndihmojë respektimin e të drejtave të njeriut në mbarë botën.Clinton theksoi se Shtetet e Bashkuara kanë ndihmuar "ata që kanë qenë në anën e demokracisë dhe të lirisë, që të mbijetojnë pas Perdes së Hekurt dhe të lulëzojnë pas rënies së saj".Gjatë detyrës së saj si sekretare e shtetit, Clinton ka udhëtuar në 112 vende të botës. Nga mediat botërore është vlerësuar si gruaja më e famshme në botë. Nuk kanë munguar edhe zërat se ajo do të garojë në zgjedhjet presidenciale të Shteteve të Bashkuara, më 2016.Senatori John Kerry, që është pasues i Clintonit në Departamentin e Shtetit, do të marrë detyrën më 4 shkurt.