Olsi “denoncon” Serbinë: Sulmi për shkak të vëllait Kryeministër

Vëllai i kryeministrit, Olsi Rama, rrëzon akuzat e ngritura nga autoritetet serbe se ai ka qenë ideatori dhe zbatuesi i fluturimit të flamurit shqiptar me një pajisje të telekomanduar.Në një prononcim për CNN, që fillimisht kishte raportuar lajmin e dhënë nga mediat dhe nga zyra e Kryeministrisë serbe, Rama është shprehur tejet i revoltuar nga këto akuza."Jam i neveritur nga të gjitha akuzat serbe se unë kam drejtuar dronin me flamurin shqiptar".Ai tha se vetëm po fotografonte me celular nga tribuna VIP pamje të ndeshjes. Sipas policisë serbe, Olsi Rama kishte në duar një navigator me të cilin po drejtonte lëvizjen e dronit sipër stadiumit me flamurin e Shqipërisë së Madhe.Madje policia serbe shkoi deri aty, sa e konsideroi këtë një akt terrorist të planifikuar prej kohësh.Por sipas Olsit, veprimet e policisë serbe ishin pjesë e një komploti, pasi ata zbuluan se ai ishte vëllai i Kryeminsitrit shqiptar."Kishte 50 shqiptarë të tjerë aty që mund të konfirmojnë që nuk e kisha unë navigatorin, pastaj ata na kontrolluan vetë të gjithëve një për një", shtoi Olsi.Për më tepër ai tregon se më vonë u lëviz për arsye sigurie dhe kur informoi autoritetet serbe se kishte pasaortë amerikane, ata e shoqëruan me polici në autobus."Me serbishten time të çalë u përpoqa të kuptoj se çfarë kishte ndodhur por më thanë se ky ishte urdhëri", tregon Olsi Rama."Nuk jam i përfshirë në këtë çështje. Kur e pashë mendova se mos e kishin bërë serbët", rrëfeu për CNN, vëllai i kryeministrit Rama.