KiE miraton rezolutën për Shqipërinë: Sfidë korrupsioni dhe gjyqësori
Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës ka miratuar më 2 tetor 2014, raportin për Shqipërinë, duke theksuar se pavarësisht progresit të arritur, vazhdojnë të mbeten shqetësuese çështje të tilla si paanshmëria e institucioneve të shërbimit civil, pavarësia e gjyqësorit dhe korrupsioni.Asambleja shpreh shqetësimin se pavarësisht reformave të shumta, pavarësia dhe paanshmëria në sistemin gjyqësor nuk është siguruar mjaftueshëm dhe sistemi vazhdon të jetë nën presionin politik.Gjithashtu theksohet nevoja për reforma urgjente konsensuale gjithpërfshirëse duke përfshirë këtu edhe ndryshime në Kushtetutë, për të siguruar pavarësinë e sistemit gjyqësor gjë që cilësohet prioritet për autoritetet shqiptare.Asambleja ka shprehur shqetësimin për përhapjen e gjerë të korrupsionit në të gjitha nivelet e gjyqësorit gjë që sipas saj, çon në dëmtimin e paanshmërisë dhe efikasitetin e këtij institucioni.Asambleja iu bën thirrje autoriteteve të reformojnë Gjykatën e Lartë dhe Këshillin e Lartë të Drejtësisë në të njëjtën vijë me rekomandimet e komisionit të Venecias.Gjithashtu Këshilli i Europës i kërkon autoriteteve të zbatojë plotësisht vendimet e Gjykatës Kushtetuese por edhe gjykatave të tjera.Një pjesë të mirë të raportit të Asamblesë e zënë zhvillimet poltike në Shqipëri, ku ka shprehur keqardhjen për vazhdimin e retorikës së ashpër midis dy palëve, duke i bërë thirrje opozitës mos të vazhdojë bojkotin e parlamentit e të komisioneve parlamentare.Gjithashtu në raport i bëhet thirrje shumicës së majtë të mos përdorë shumicën konsitucionale për të shmangur opozitën dhe palët të gjejnë konsensus për reformat e rëndësishme. Këtë e ka fakt e ka komentuar dhe deputeti Demorkat Oerd Bylykbashi në një intervistë telefonike për Ora News.Gjithashtu në raport vihet në dukje shtyrja e zbatimit të ligjit për shërbimin civil, e cila mundëson zbatimin e rregullave strikte për punësim në bazë të meritokracisë.Në rezolutën e saj Asambleja Parlamentare e KiE thekson se është mjaft e rëndësishme që të zbatohen reformat dhe paketat legjislative të miratuara, duke e vënë theksin te reformat parlamentare për të cilat është rënë dakord nga mazhoranca dhe opozita, me qëllim funksionimin e duhur te parlamentit dhe dialogut politik.Në fund të raportit Asambleja Parlamentare thekson se duke parë dhe evidentuar shqetësimet e përmendura më lart, do të vazhdojë monitorimin e zbatimit të detyrimeve dhe zotimeve që ka marrë Shqipëria derisa këto shqetësime të kenë marrë përgjigje pozitive.