Adoleshentja e arratisur rrëfen ferrin mes xhihadistëve: Shoqet i përdhunuan
Një 15-vjeçare ka rrëfyer ferrin që ka përjetuar mes xhihadistëve të Shtetit Islamik deri tek shpëtimi fatlum prej tyre. Në një reportazh të rrjetit amerikan CNN, Aria tregon historinë e saj në një çadër në kampin e refugjatëve të ngritur në Irakun veriperëndimor.Ajo është pjesë e komunitetit jazidi, të shpërngulur nga zona e Sinjarit pas vërshimit të militantëve të Shtetit Islamik. Vajza e ka të vështirë të flasë, por më pas tregon se gjashtë javë më parë, pasi familja e saj mori vesh se në Sinjar do të vinin trupat e Shtetit Islamik, mori makinën dhe u përpoq të largohej nga qyteti. Por shumë shpejt makinat e njerëzve me të zeza i arritën."Na detyruan të dilnim nga makina. Vajzat dhe gratë u ndanë nga burrat, vëllai im 19-vjeçar po ashtu. Por ata na morën ne vajzat, duke na detyruar të futeshim në një kamionçinë".Aria, kunata e saj 14-vjeçare dhe disa vajza të tjera u çuan 120 kilometra larg drejt godinës së ISIS në Mosul, në qytetin e dytë më të madh të pushtuar nga militantët që në muajin qershor. Ato u dërguan në një shtëpi me tre kate, ku u mbyllën me dhjetëra adoleshente të tjera të marra peng."Në Mosul, ata u përpoqën të na detyronin të ndryshonin besimin fetar. Na thanë: 'Lexoni Kuranin tonë'. Disa vajza thanë se nuk kishin shkuar kurrë në shkollë, ndaj nuk mund ta lexonin Kuranin. Ndërsa unë nuk mund ta kuptoja".Më shumë se tri javë Aria i kaloi në kushte të tmerrshme. Gjatë kësaj kohe, një sheik shkoi në shtëpinë tre-katëshe ku i kishin çuar dhe mori 20 prej vajzave, bashkë me to edhe kunatën e saj."E detyroi të shkonte me të. Unë isha shumë e frikësuar. Shumë prej mikeshave të mia u përdhunuan. Është tepër e vështirë të flasësh për këtë".Abuzimi seksual është një çështje tabu në këtë kulturë dhe pranimi se dikush ka qenë viktimë e tij është diçka e padëgjuar, por Aria gjithsesi mohon që t'i ketë ndodhur edhe asaj i njëjti fat. Por kjo nuk do të thotë se ditët e kaluara atje nuk kanë lënë shenja tek adoleshentja."I shoh ato fytyra gjatë gjithë kohës. Kam makthe. Nuk mund të resht së menduari sesi i detyruan vajzat. Kam parë boll", thotë ajo."Ata kishin mjekra të gjata: ishin vërtet të gjatë dhe të mëdhenj. Edhe burrat do t'ua kishin frikën. Na detyruan të martoheshim me ta, na kërcënuan nëse nuk do ta bënim. Na dhanë edhe numrin e telefonit për të telefonuar familjet e për t'u treguar se ishim konvertuar".Duke përdorur telefonin që ua dhanë militantët, ato telefonuan fshehtas xhaxhain e një prej shoqeve, i cili me disa miq i ndihmoi vajzat të arratiseshin kur militantët kishin lëvizur nga shtëpia. Mirëpo edhe pas ribashkimit me familjen në kampin refugjat, ajo vazhdon të vuajë.Dhe tregon në lot:"Nuk e dija që më kishin vrarë vëllanë. Kjo gjë më trishtoi. Kisha vetëm një vëlla. Ai ishte martuar që prej 6 muajsh. U trishtova kur e dëgjova këtë. E vranë bashkë me burrat e tjerë, pasi më rrëmbyen mua. E qëlluan në kokë. Nëna ime fjeti mbi trupin e tij të vdekur gjatë gjithë natës".Aria fatmirësisht shpëtoi dhe tani ndodhet në një vend të siguritë, mirëpo disa nga vajzat e tjera nuk e patën këtë fat, pasi u rikapën edhe pas arratisjes."I përdhunuan se ato u arratisën. Ky ishte ndëshkimi. Dhe tani kanë rritur masat e sigurisë që vajzat të mos largohen më".