Drejtësia dhe krimi i jakave të bardha

Ka një përcaktim të hershëm për atë që quhet krim i jakave të bardha. Quhet i tillë kur një abuzim, një krim i nëndheshëm me paratë e shtetit, duke bërë kombinacione, me anë të korrupsionit apo transaksioneve, e bëjnë zyrtarë të nivelit të lartë.E thënë me fjalë të tjera, këtë krim të padukshëm e bëjnë ata që rrinë në zyra, që vishen me kostume e kravata firmato e që janë pjesë e serës më të lartë të pushtetit politik, por edhe teknik.Si e tillë në Shqipëri në një farë mënyre është një krim i ri, që në fakt ne na ngjan i vjetër.Fillesat e para të trajtimeve të këtij lloj krimi në Shqipëri janë në fillim të viteve ‘90 kur një prokuror i guximshëm me emrin Edison Heba ishte i pari që hartoi një punim shkencor për këtë lloj krimi të paparë e të padëgjuar në vendin tonë.Prokurori Heba trajtoi me shumë rigorozitet shumë e shumë fenomene të reja të zyrtarëve dhe politikanëve të lartë që ishin pjesë e krimeve financiare dhe mbështetës të krimit të organizuar në Shqipërinë e sa[po dalë nga sistemi gjysmë shekullor komunist.Por, bashkë me largimin e prokurorit për një “specializim” matanë Atlantikut, edhe ky punim mbeti në bocat e shtypshkrimeve të prokurorisë. Dhe në rastin më të mirë në sirtaret e disa prokurorëve të talentuar dhe me integritet që dëshironin ta vazhdonin këtë punë atje ku e la kolegu Heba.Sot nuk kem i asnjë punim serioz të luftës së shtetit ndaj krimit të jakave të bardha të zbuluar aspo të pazbuluar kjo për një fakt domethenës: Shteti nuk ka guxuar asnjëherë seriozisht ta realizojë këtë luftë. Porse në ndihmë na vijnë vetëm gazetat e kohës, memoria dhe arkivi ynë si gazetar. Shteti shqiptar u duk sikur e morri seriozisht luftën ndaj këtij krimi teksa në vitin 1992 brenda pak muajsh arrestoi dhjetra zyrtarë.Kulmi i këtij superaksioni ishte se u arrestan dy kryeministra. Fatos Nano dhe Vilson Ahmeti, pavarësisht luftës politike ndaj tyre por edhe abuzimeve ta panumërta të prokurorëve gjatë proceseve, vazhdon të mbeten zyrtarët më të lartë të shtetit shqiptar të arrestuar që nga vtiti 1990 e deri më sot.Këtu duhet shtuar edhe arrestimi i guvernatorit Ilir Hoti, i cili bashkë me Nanon dhe Ahmetin morën më vonë pafajësi dhe një zot e dinte ato kohë se ku ndahej lufta ndaj krimit të jakave të bardha me luftën politike.Çdo përpjekje tjetër e prokurorëve pasardhës për të arrestuar ministra, lëre pastaj kryeministra është shoqëruar me konkluzionin se ky prokuror, ose nuk është mirë nga mendja, ose është kamikaz i një lufte politike.Kështu ndodhi me kryeprokurorin Maks Haxhia, i cili u shkarkua sikur Shqipëria vazhdonte të ishte në komunizëm vetëm se kërkonte pavarësi në hapjen e proceseve hetimore.Kështu ndodhi me kryeprokurorin Arben Rakipi, i cili u shkarkua nga parlamenti me vota të mbledhura majtas e djathtas vetëm e vetëm se u mësua se ai do arrestonte tre ministra në detyrë.Kështu ndodhi edhe me Theodhori Sollakun dhe Ina Ramën, të cilët u sulmuan në mënyrën më të turpshme nga politika vetëm e vetëm se kërkonin pavarësi dhe kishin vullnetin për të luftuar krimim e jakave të bardha në sfera të larta.Vimë te kryprokurori aktual Adriatik Llalla. Arrestimi i guvernatorit Ardian Fullani në rastin më të keq është starti i një epoke që lë pas pandëshkueshmërinë.Nuk gjykojmë dhe paragjykojmë kërrkënd në këtë histori, por të arrestosh guvernatorin e Bankës Qendrore dhe në rastin kur ky quhet Ardian Fullani nuk ka vend të diskutosh nëse Llalla ka apo jo guxim. Duhet ta themi është guxim prej një prokurori të një tipi të ri që deri më sot nuk ka një të ngjashëm. Por ajo që diskutohet dhe debatohet aktualisht është ajo që quhet ndryshe “the day after”.Pra, a do jetë Fullani i pari dhe i fundit zyrtar i nivelit të lartë i arrestuar për krim të jakave të bardha apo ai është i pari dhe kjo do të vijojë më tej me zyrtarë, drejtorë, zëvendëministra e deri ministra në detyrë, apo ata që kanë qenë të tillë? Natyrisht që kjo është pyetje me përgjigje që vlen 1 milion dollar dhe vetëm kryekurori Llalla mund ti japë përgjigje këtij basti. Llalla e ka fituar bastin e parë atë të arrestimit të një zyrtari të nivelit të lartë.Por pritet të vihet në provë për bastin e dytë, atë të vijimit të këtij superprocesi.Dhe arrestimi i zyrtarëve të tjerë është një bast që nuk ka vend të vlerësohet me shifra me shumë zero. Është një luftë e vërtetë mes shtetit dhe krimit të jakave të bardha për të cilin duhet të presim se kush do ta fitojë. Nëse do ndodhë, vërtetë do jetë një epokë e re.